AlbanianSport.com 17.02.2017 19:35
ASNN – Ndonëse nga opinioni futbolldashës, por edhe nga disa klube, siç është Partizani, ishte kërkuar prej muajsh, vetëm tani Federata Shqiptare e Futbollit vendos të hapë hetimet për çështjen “Skënderbeu”, ku ekipi korçar është i përjashtuar për një vit nga veprimtaritë evropiane nga UEFA për trukime ndeshjesh.
Ky është një hap që, organizmi që qeveris futbollin në vend, ashtu sikurse e kishte deklaruar më parë, e ndërmerr pas ardhjes së vendimit të zbardhur nga CAS-i i Lozanës.
Edhe pse nuk rezulton asgjë e re në këtë pikë, qeveria e futbollit shqiptar bëri të ditur se praktika e hetimeve i ka kaluar menjëherë Komisionit të Etikës së këtij institucioni, që do të ndjekë hapat proceduralë për ndeshjet që janë cilësuar si të dyshuara për skuadrën “kampione” të vendit.
Duhet theksuar se, përkundër faktit që, në mënyrë të beftë dhe të pazakontë, Partizani u zhvendos nga eliminatoret e Ligës së Evropës në ato të Ligës së Kampioneve, në kurriz të Skënderbeut, ka bërë që të kuqtë kryeqytetas ta kërkojnë edhe zyrtarisht kurorën e kampiones së vendit.
Por, një gjë e tillë është hedhur poshtë vazhdimisht nga drejtuesit më të lartë të FSHF-së, të cilët kanë këmbëngulur se, deri në sqarimin e të gjitha rrethanave, Skënderbeu ruan titullin e 6-të “kampion”. Pritet të shihet se çfarë do të ndryshojë ky vendim i fundit i FSHF-së mbi këtë çështje.