AlbanianSport.com 18/02/2024 18:20
ASNN – Trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave do të analizojnë ndeshjet & lojtarët me teknologjinë e avancuar. Zhvillimi i ekipeve kombëtare të moshave është një nga prioritetet e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) dhe fitoret që arrihen në fushë vijnë edhe si pasojë e punës përgatitore që bëhet më lojtarët gjatë grumbullimeve.
Për këtë arsye është zhvilluar pranë mjediseve të “Shtëpisë së Futbollit” në kryeqytet një takim me të gjithë video-analistët dhe trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe Drejtori Teknik i FSHF-së, Fulvio Pea, si edhe përgjegjësi i sektorit të video-analizës në FSHF, Alariko Rosi.
Ky takim ishte shumë konstruktiv për krijimin e një marrëdhënieje më të mirë pune në nivel teknologjik brenda stafeve kuqezi. Në veçanti u diskutua se si mund të punohet në përgatitjen e grumbullimeve të ekipeve Kombëtare me video të personalizuara nga stafi për lojtarët.
Sot teknologjia të jep mundësinë të kesh shumë zgjidhje në nivel teknologjik, veçanërisht për të njohur futbollistët e rinj me elementet e gjeneratave të fundit. U diskutua se si të punohet me platformën “Hudl”, që të mundëson të analizosh dhe mbi të gjitha të ndash punën e ekipeve kombëtare përmes shumë pajisjeve.
Takimi ishte gjithashtu një mënyrë për të rritur bashkëpunimin midis trajnerëve dhe analistëve, duke qenë se u diskutuan edhe tematika që lidhen me fluksin e punës para dhe gjatë grumbullimeve. Objektivi kryesor i këtij takimi është të fillojë rritja profesionale e trajnerëve dhe stafit të ekipeve kombëtare të moshave për t’iu afruar gjithnjë e më shumë modelit të punës së stafit profesional të nivelit më të lartë.