AlbanianSport.com 02/09/2021 20:15
ASNN – Sistemi VAR në Shqipëri, FSHF takim me trajnerët dhe kapitenët e klubeve të Kategorisë Superiore & të Parë. Siç është lajmëruar edhe më parë, duke nisur nga ky edicion futbollistik, në ndeshjet e Kategorisë Superiore do të nisë të përdoret Sistemit të Ndihmësgjyqtarit të Video (VAR), një nga projektet e investimet më të mëdha të Federatës Shqiptare të Futbollit. Prej më shumë se dy vitesh FSHF ka punuar për ta vënë në zbatim këtë sistem edhe në Shqipëri, me qëllim rritjen e besueshmërisë dhe cilësisë së futbollit shqiptar, duke minimizuar gabimet e gjyqtarëve.
Deri tani janë zhvilluar disa ndeshje miqësore duke përdorur “VAR”-in, ndërsa së fundmi, ky sistemi u përdor edhe në finalen e Superkupës së Shqipërisë mes Vllaznisë dhe Teutës. Ditën e mërkurë, duke qenë shumë afër nisjes së sezonit të ri, në mjediset e “Shtëpisë së Futbollit”, Departamenti i Gjykimit, në bashkëpunim me Departamentin e Garave në FSHF, zhvilloi një takim me trajnerët dhe kapitenët e klubeve të Kategorisë Superiore dhe Kategorisë së Parë. Fokusi kryesor i këtij takimi ishte të shpjegohej për përfaqësuesit e klubeve se si funksionon sistemi “VAR”.
Shefi i Departamentit të Arbitrimit, Sokol Jareci, kishte përgatitur edhe disa video të shkëputura nga ndeshje të veprimtarive të ndryshme evropiane, duke parë rastet se kur duhet të ndërhyjë ose jo “VAR”-i. Sezoni i ri i Kategorisë Superiore do të nisë më 11 shtator, me të 180 ndeshjet e kësaj veprimtarie që do të luhen me Sistemin të Ndihmësgjyqtarit të Video (VAR), teksa ky sistem do të përdoret edhe në sfidat e Kupës së Shqipërisë.