AlbanianSport.com 06.02.2017 10:40
ASNN – Sipas një njoftimi për shtyp, Federata Shqiptare e Futbollit dhe Federata e Futbollit e Maltës kanë arritur një akord të përbashkët në fushën e gjykimit. Njoftimi i afishuar në faqen zyrtare në Interent të organizmit që qeveris futbollin shqiptar sqaron se bëhet fjalë për shkëmbim gjyqtarësh në ndeshjet e veprimtarive të ndryshme, si në Shqipëri, ashtu edhe në Maltë.
Kjo marrëveshje synon të mos mbesë vetëm në këtë kuadër, por të përfshijë edhe në shkëmbimin e përbashkët të përvojës në fushën e gjykimit, duke planifikuar kurse të ndryshme trajnimi për përgatitjen e gjyqtarëve, si në Maltë, edhe në Shqipëri. Nga ana tjetër sipas marëveshjes, gjyqtarët shqiptarë dhe ata të Maltës do të jene të pranishëm me paraqitjet e tyre në ndeshjet e Kategorisë Superiore, por edhe asaj Të Parë, në të dy federatat.
Kjo marëveshje përfshin gjithashtu edhe praninë e vëzhguesve të të dy palëve në ndeshjet e kategorive të mësipërme, shoqëruar kjo edhe më kurset e ndryshme të trajnimit. Në këtë kuadër nuk do të mungojnë edhe gjykimet përkatëse në të dy kampionatet, sipas kërkesave të caktuara nga federatat përkatëse. Një marëveshje e tillë do të zbatohet sa më shpejt dhe do të nisë menjëherë me një plan të detajuar bashkëpunimi mes sektorëve të të dy federatave.