AlbanianSport.com 24.09.2015 16:10
ASNN – Të enjten paradite, është zhvilluar në Federatën Shqiptare të Futbollit një mbledhje me karakter informues në lidhje me organizmin e ndeshjes Shqipëri-Serbi, që do të zhvillohet më datë 8 tetor 2015, në Stadiumin “Elbasan Arena”.
Në takim morën pjesë përfaqësuesi i sigurisë së UEFA-s, Keni Skot, ambasadori i Republikës Serbe në Tiranë, Miroljub Zariç, dhe përfaqësues të Federatës Serbe të Futbollit, Zv/Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Altin Qato, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Plarent Ndreca, dhe përfaqësues të organizmave që kanë lidhje me zhvillimin e ndeshjes.
Në qendër të vëmendjes, së këtij takimi, ishin masat që do të merren në mënyrë që gjithçka në këtë ndeshje të shkojë sa më mirë. Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit Ilir Shulku, deklaroi për faqen zyrtare në Internet të FSHF-së se ky ishte një takim informues, në vazhdën e konsultave dhe takimeve që kemi zhvilluar gjatë gjithë kësaj periudhe, për organizimin sa më të mirë të kësaj ndeshjeje.
Pas përfundimit të takimit, përfaqësuesi i sigurisë së UEFA-s, përfaqësues të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe të Policisë së Shtetit, u nisën për në Elbasan për të inspektuar Stadiumin “Elbasan Arena”.