AlbanianSport.com 28.02.2016 23:55
ASNN – Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, Ilir Shulku, ka qenë sot në qytetin e Shkodrës për të ndjekur nga afër gjendjen e futbollistit të Vllaznisë, Erdenis Gurishta, i cili në takimin e të shtunës Vllaznia-Laçi, gjatë një dyluftimi, u dëmtua rëndë duke u shtruar në spitalin e Shkodrës. Gjithçka ka ndodhur në ndeshjen e të shtunës, ku Vllaznia ka barazuar pa gola me Laçin në Fushën Sportive “Reshit Rusi” dhe futbollisti shkodran është dëmtuar, duke humbur ndjenjat.
Sipasa asaj që raporton faqja zyrtare në Internet e organizmit që qeveris futbollin shqiptar, gjatë kësaj vizite, Sekretari Shulku ka kontaktuar me mjekët e spitalit dhe u interesua për gjendjen e futbollistit. Ai ka patur edhe një takim me familjarët e lojtarit, duke i dhënë atyre kurajë për të përballuar këtë tronditje që ka lidhje me gjendjen e rëndë të djalit të tyre. Ai u ka deklaruar atyre, mbështetjen maksimale dhe garancinë që institucioni i futbollit, merr përsipër për gjithçka që ka lidhje me rikthimin në normalitet të gjendjes shëndetësore të Erdenisit.
“Unë jam këtu për t’ ju përcjellë mbështetjen e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Presidentit Armand Duka, në lidhje me ecurinë e shëndetit të Erdenis Gurishtës, – deklaroi Sekretari Ilir Shulku për faqen zyrtare të FSHF-së në Internet. – Mbështesim mjekët në përpjekjet e tyre dhe lusim Zotin që, shumë shpejt, gjendja e tij të jetë sa më pozitive. Jam këtu, për të dhënë mbështetjen morale dhe për të garantuar, se FSHF është e gatshme që të garantojë financiarisht, çdo iniciativë për t’i ndryshuar gjendjen e futbollistit dhe anëtarit të familjes tonë futbollistike.”