AlbanianSport.com 03/06/2020 17:50
ASNN – Skuadrat përfaqësuese rajonale janë rikthyer prej dy ditësh në fushën e lojës për të zhvilluar seancat stërvitore me ekipet e Nën-13, Nën-14 dhe Nën-15-vjeçarëve. Pas një ndalese dymujore për shkak të epidemisë së “Covid-19”, ashtu siç është parashikuar në programin vjetor, ditën e hënë skuadrat në Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Gjirokastër, Korçë, Lezhë e Shkodër kanë zhvilluar stërvitjet e tyre nën drejtimin e stafeve teknike.
Për të ndjekur seancat stërvitore me lojtarët më të spikatur që janë përzgjedhur të jenë pjesë e skuadrave kanë qenë të pranishëm trajnerët e ekipeve kombëtare, të cilët janë shpërndarë sipas një plani të përcaktuar nga Sektori i Ekipeve Kombëtare. Trajnerët në fjalën e tyre për lojtarët kanë theksuar se në çdo seancë stërvitore ata janë në vëzhgim nga specialistët e Federatës Shqiptare të Futbollit. Risia e këtij viti është shtimi i përfaqësueseve rajonale në Lezhë dhe Gjirokastër.
Kjo bën që të mbulohet në këtë mënyrë i gjithë territori i Shqipërisë, me synimin për të pasur informacionin e duhur për çdo lojtar të talentuar kudo që ai luan. Ndërkohë, Zyra Rajonale e Tiranës në vijim të punës për rifillimin e garës, ka zhvilluar të mërkurën një takim me delegatët që angazhohen në futbollin e kryeqytetit. Në këtë takim informues u fol mbi protokollin mjekësor që ka përgatitur FSHF për zhvillimin e ndeshjeve pas përhapjes së “Covid-19”.
Ky takim informues vjen pas një serie takimesh që Federata e Futbollit ka organizuar me të gjithë aktorët e futbollit shqiptar, si drejtuesit e klubeve, drejtuesit e akademive, delegatë dhe gjyqtarët. Shefi i Sektorit të Zyrave Rajonale dhe projektit “Grow”, Andi Zëre bëri një prezantim të detajuar të detyrave dhe përgjegjësive që lindin për delegatët në organizimin e ndeshjeve në kohë pandemie. Zbatimi dhe kushtet e protokollit mjekësor janë të njëjta për të gjithë, nga futbolli i fëmijëve deri te Kategoria Superiore. Toleranca për zbatimin e protokollit do të jetë zero.