AlbanianSport.com 10/09/2021 17:25
ASNN – Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që duke filluar që nga kjo e premte e 10 shtatorit 2021 do të ketë emrin “Abissnet Superiore”, pas marrëveshjes së nënshkruar midis Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) dhe kompanisë “Abissnet”, do të nisë zyrtarisht sonte sezonin e saj të ri futbollistik, atë 2021-2022. Ndeshja e parë hapëse do të luhet mes Teutës dhe Partizanit, në Stadiumin “Elbasan Arena”.
Aty ku edhe do të përdoret sistemi “VAR” (Video Assistent Referee – Sistemi i Ndihmësgjyqtarit të Videos), një nga projektet dhe investimet më të mëdha të Federatës Shqiptare të Futbollit. Organizmi që qeveris futbollin në vend ka më shumë se dy vite që punon për ta vënë në zbatim këtë sistem edhe në Shqipëri, që do të sjellë pa dyshim rritjen e cilësisë dhe besueshmërisë në futbollin shqiptar.
Duke synuar njëkohësisht të minimizojë edhe gabimet e gjyqtarëve. Shefi i Drejtorisë së Gjykimit në FSHF, Sokol Jareci, ka prezantuar të premten pasdreke për përfaqësuesit e mediave dhe opinionin publik këtë sistemin. Ai ka shpjeguar rastet se kur duhet të ndërhyjë dhe kur nuk ka nevojë të ndërhyjë “VAR”-i, duke përdorur edhe video të shkurtra nga ndeshje të veprimtarive evropiane, për ta bërë më të kuptueshme për të pranishmit dhe për publikun.
Drejtoria e Gjykimit në FSHF ka zhvilluar disa seminare me përfaqësues të klubeve mbi sistemin VAR, si edhe me gjyqtarë të cilët janë trajnuar edhe më herët nga përfaqësuesë të këtij projekti në FIFA dhe tashmë janë certifikuar nga FIFA për të punuar si VAR dhe AVAR.