AlbanianSport.com 21.04.2016 13:05
ASNN – Me një bashkëpunim midis qeverisë shqiptare dhe Federatës Shqiptare të Futbollit do të nisë realizimi i projektit të ri për ndërtimin e stadiumit të ri, “Arena Kombëtare”. Projekti është prezantuar nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, në prani të Kryeministrit Edi Rama.
Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet shumë shpejt do t’ia lerë vendin “Arenës Kombëtare”. Projekti për stadiumin e ri është prezantuar nga Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. “Do të jetë një stadium ku do të kërkojmë të luhen finalet e Kupave Evropiane”, – ka thënë kreu i qeverisë shqiptare.
Ndërsa presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka bërë një përmbledhje të investimeve të bëra nga organizmi që ai drejton, në drejtim të infrastrukturës. Të pranishëm në prezantimin e projektit të “Arenës Kombëtare” ishin, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, Presidenti i KOKSH-it, Viron Bezhani, e personalitete të tjera të sportit.