AlbanianSport.com 21.08.2015 16:15
ASNN – Risitë në kampionatin shqiptar të futbollit për sezonin e ri do të jenë të shumta. Duke filluar nga logot e reja të Kategorisë Superiore dhe Kupës së Shqipërisë, vendosjen e tyre në bluzat e futbollistëve dhe në vendet ku do të luhet futboll. Gjithashtu është diskutuar edhe krijimi i ligës profesioniste të futbollit. Sot, në sallën e konferencave të FSHF-së janë prezantuar risitë e sezonit të ri futbollistik në një konferencë për shtyp të mbajtur nga Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku, dhe nga Drejtori i Departamentit të Marketingut, Gazmend Malo.
Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit dhe Kupa e Shqipërisë do të kenë logot reja, duke filluar nga ky sezon. “Këto janë risitë e para që sjell Federata Shqiptare e Futbollit, – thotë Drejtori i Marketingut në FSHF-së, Gazmend Malo, – të cilat do të afrojnë edhe sponsorët në futbollin shqiptar. Për realizimin e tyre, FSHF ka bashkëpunuar me një kompani partnere të UEFA-s. Kategoria Superiore dhe Kupa e Shqipërisë në këtë fillim të sezonit futbollistik 2015-2016, do të kenë kështu një “brand” të ri, që do të jetë elementi themelor i imazhit të këtyre veprimtarive.”
“Ky prezantim do të pasohet nga një implementim i centralizuar, me elementë të pozicionuar në çdo stadium dhe do të ketë gjithashtu edhe elementë grafikë televizivë, një spot zyrtar, një logo në mëngët e bluzave të skuadrave të Superiores, etj, – ka vijuar ai. – Ky është hapi i parë i një marketingu të centralizuar, i cili i është prezantuar paraprakisht edhe shumë bizneseve që operojnë në tregun shqiptar. Ky proces vjen si një vazhdim i natyrshëm i një plani më të madh, i cili filloi me “rebrand”-imin e Federatës Shqiptare të Futbollit.
“Ky plan ka për objektiv ripozicionimin dhe përmirësimin e imazhit global te futbollit shqiptar, – ka vijuar Malo. – Me këtë prezantim të ri hidhen bazat për një marketing bashkëkohor, i cili të jetë edhe më tërheqës për bizneset që do të duan të mbështesin dhe të bashkëpunojnë me futbollin shqiptar. I gjithë procesi ka kaluar në disa faza ndër të cilat, më e rëndësishmja ka qenë ajo e konsultimeve me grupimet e interesit, siç janë klubet, profesionistë nga bota e medias, menaxhimit, si dhe një numër jo i vogël kompanish operuese në vendin tonë.”
“Ky projekt mundësohet me bashkëpunimin dhe mbështetjen e UEFA-s dhe është realizuar nga një agjenci ndërkombëtare partnere me këtë institucion”, – përfundoi Drejtori i Marketingut në FSHF, Gazmend Malo. Sekretari i Përgjithshëm i organizmit që qeveris futbollin shqiptar, Ilir Shulku, ka dhënë detaje nga mbledhja e klubeve, zhvilluar disa ditë më parë, përsa i përket krijimit të Ligës Profesioniste të futbollit në vend. Diskutimet midis klubeve dhe FSHF-së për krijimin e Ligës Profesioniste të Futbollit do të vazhdojnë deri në arritjen e marrëveshjeve për të gjitha pikat.