AlbanianSport.com 07.01.2016 16:10
ASNN – “Tifozët e Kombëtares”, prej sot nuk është vetëm një ide por ka nisur të funksionojë si një realitet i ri. Kushdo që dëshiron të jetë pjesë e tij, mund të njihet me atë çfarë afron klubi i ri i tifozëve të kombëteres dhe të anëtarësohet në të. Federata Shqiptare e Futbollit ka prezantuar sot nismën më të fundit të saj, themelimin e Klubit të Tifozëve të Kombëtares, që synon të institucionalizojë marrëdhënien midis përfaqësueses kuqezi dhe tifozëve të saj. Anëtarët e Klubit të Tifozëve të Kombëtares do të ndahen në 3 kategori, në varësi të kontributit financiar, çka do të reflektohet edhe në shkallën e përfitimeve që ata do të kenë nga kjo anëtarësi.
Kështu, sot paradite, në sallën e konferencave të FSHF-së është organizuar prezantimi i këtij Klubi Tifozësh. Në të kanë qenë të ftuar nderi Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit Ilir Shulku, ndihmëstrajneri i kombëtares, Paolo Tramezzani dhe ndihmësi tjetër në ekipin kombëtar Erion Bogdani, njëkohësisht golashënuesi më i mirë i ekipit kombëtar në të gjitha kohërat. Pas një sporti promocional, me figura të ndryshme nga kultuara, arti dhe futbolli, është bërë edhe prezantimi i eventit dhe e kanë marrë fjalën të ftuarit specialë. Ata kanë vlerësuar në maksimum, rolin e mbështetjen e tifozëve dhe kanë bërë thirrje që Klub i Tifozëve të ketë sa më shumë mbështetës brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Pastaj Drejtori i Marketingut, Gazmend Malo, ka zbërthyer një për një detaje, të projektit më ri, të Federatës Shqiptare të Futbollit. Sipas tij, emri i klubit vjen natyrshëm, i drejtohet dhe grumbullon tifozët e Kombëtares në një komunitet mbeshtetës. “Qëllimi është krijimi i një komuniteti të njohur dhe të formalizuar me një organizim të posaçëm që sjell një sërë avantazhesh dhe privilegjesh të anëtarëve të tij, – ka thënë Malo. – Është diçka që ekziston edhe në traditat më të mira të Federatave dhe përfaqësueseve të mëdha si Gjermania, Italia, Franca, Anglia, etj. Objektivat e kësaj nisme janë që t’i njohim më mirë, t’u shërbejmë më mirë, të krijojmë marrëdhënie të mira me tifozët tanë.”
Në vijim, Drejtori i Marketingut në FSHF sqaroi se, sa i përket formës organizative, si fillim, ky klub do të jetë një entitet i brendshëm i Federatës. “Më tej, – ka vijuar ai, – mund të marrë formë edhe si subjekt më vete, me organizim autonom, organ drejtues, një bord, etj. Sa u përket kritereve të anëtarësimit ato janë të thjeshta: Të jesh tifoz i Kombëtares, të regjistrohesh në faqen zyrtare në Internet, www.fshf.org dhe të jesh sa më aktiv.” Më tej, Malo ka vënë në pah avantazhet e anëtarësimit, ku parashikohen tri nivele anëtarësimi e më konkretisht, anëtar i regjistruar, anëtar Zyrtar dhe anëtar “Gold”.
Sa i përket funksionimit të kësaj anëtarësie, bëhet fjalë për pajisjen me kartë sipas nivelit të anëtarësimit, përdorimin e kartës për të marrë avantazhet dhe privilegjet që ky klub ofron, një “Bar code” unik për çdo kartë, që njihet nga akses kontrolli në stadium dhe në rastin e blerjes së biletave nga anëtari, ndeshja aktivizohet në kartë dhe nuk ka nevojë për biletë, – ka përfunduar Drejtori i Marketingut i Federatës Shqiptare të Futbollit, Gazmend Malo.