AlbanianSport.com 22.02.2017 12:05
ASNN – Kombëtarja shqiptare e futbollit do të ketë një uniformë të re sportive për ndeshjet e mbetura eliminatore të Kampionatit Botëror “Rusi 2018”. Me fanellën e re, lojtarët kuqezi do të prezantohen në ndeshjen e radhës, atë me Italinë në 24 mars 2017. Risi në të janë puplat e shqiponjës, simbolit kryesor të flamurit shqiptar, të ideuara në formë rombesh.
Pas debutimit të kombëtares kuqezi me uniformën “Triumf” në finalet e Kampionatit Evropian “Francë 2016”, Federata Shqiptare e Futbollit dhe firma “Macron” kanë prezantuar kostumet e reja sportive për 2017. Është përdorur një teknologji e lartë në prerje, në përbërje të copës së përdorur, si dhe në dizenjim. Ashtu si edhe në fanellën e parë, edhe në këtë të renë, dizenjimi është frymëzuar nga motivet e traditës dhe historisë së Shqipërisë.
Një detaj i veçantë në uniformën e re është pjesa ballore e fanellës, kur disa rombe që vijnë të sfumuara në fillim dhe më të errëta në fund, tregojnë puplat e shqiponjës, simboli kryesor i flamurit shqiptar. Logo e FSHF-së dhe shqiponja është në të majtë, ndërsa në të djathtë emri i firmës prodhuese. Në pjesën e mbrapme shkruhet “Albania” ndërsa në brendësi është ruajtur sërish fjalia “Ti Shqipëri më jep nder”.
Pjesa e rombeve është dizenjuar edhe në fanellën e bardhë dhe atë të zezë. Uniformat e reja do të përdoren nga futbollistët e kombëtares kuqezi në ndeshjen e 24 marsit 2017 kundër Italisë në Palermo. Në prezantimin e uniformës së re të kombëtares së futbollit, ishin të pranishëm Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, Presidenti i KOKSH-it, Viron Bezhani, e figura të shquara të sportit në vend.