AlbanianSport.com 01/05/2020 21:40
ASNN – Klubet e nivelit më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, Kategorisë Superiore, të paktën, ato që pretendojnë në fund të sezonit të marrin pjesën në Kupat e Evropës sezonin e ardhshëm, kanë dorëzuar dosjet me dokumentacionin e duhur për kriterin financiar, që është edhe më i rëndësishmi. Fillimisht ishte vendosur 31 marsi si afat, por organizmi që qeveris futbollin kontinental e shtyu me një muaj për shkak të gjendjes së krijuar nga shpërthimi i epidemisë së koronavirusit.
“Ditën e enjte ka përfunduar procesi i dorëzimit të dosjeve të kriterit financiar për të gjitha klubet aplikante për një licencë për në veprimtaritë e UEFA-s”, – ka njoftuar Federata Shqiptare e Futbollit, nëpërmjet një njoftimi. “Prej ditës së hënë, datë 4 maj 2020 të gjitha dosjet do t’i dërgohen ekspertit të kriterit financiar, i cili do të përpilojë raportet për secilën skuadër, – vijon njoftimi në fjalë. – Në përfundim të analizës, të gjitha raportet e ekspertëve do t’i paraqiten Komisionit të Licencimit në FSHF.”
Më parë klubet kanë plotësuar dosjet për kriterin infrastrukturor, atë administrativ dhe ligjor, ndërkohë që kriteri sportiv mbetet për t’u plotësuar me mbylljen e kampionatit, pasi për momentin është ndërprerë dhe nuk ka një vendim se kur do të rinisë. FSHF kishte shpresuar që skuadrat të lejoheshin të ktheheshin më 2 maj, por nuk ka ende përgjigje. Ishte shpresuar që, në rastin më të keq, të hënën e 4 majit, skuadrat të lejoheshin të stërviten, natyrisht mbi bazën e një protokolli shëndetësor dhe mbrojtës nga ana e autoriteteve përkatëse. Por tanimë kjo mbetet vetëm hipotetike.