AlbanianSport.com 29/11/2018 10:40
ASNN – Të mërkurën në Bruksel, është zhvilluar takimi strategjik ndërmjet Bashkimit Evropian dhe UEFA-s mbi përfshirjen e futbollit në axhendën financiare evropiane nga viti 2020 e në vazhdim. Takimi organizohej nga Komiteti Evropian i Rajoneve dhe vlerësohet si historik nga pikëpamja e angazhimit dhe përfshirjes së BE-së në mbështetjen e futbollit si mënyra më e drejtpërdrejtë për sigurimin e kohezionit social.
Komiteti Europian i Rajoneve dhe UEFA, nëpërmjet këtij takimi kërkojnë të ndërtojnë një urë lidhëse nëpërmjet instrumentit financiar të UEFA-s për investimet dhe Fondeve Europiane Strukturore, të cilat janë dhe pjesa më e madhe e buxhetit të Qeverisë evropiane të futbollit. Presidenti Duka mori pjesë në cilësinë e Zëvëndës-Presidentit të Komitetit “HatTrick”.
Në këtë takim u theksua impakti pozitiv që futbolli ka në ekonomi, socializimin e rajoneve, shëndetin publik, dhe bashkëpunimin intensiv që UEFA ka me të gjitha strukturat e Bashkimit Evropian. Gjatë takimit u diskutua edhe mbi rëndësinë e Fondeve Strukturore Evropiane, të cilat janë një mundësi konkrete për të forcuar financiarisht jo vetëm UEFA-n, por edhe federatat anëtare.
Ky proces, nëpërmjet shtimit të fondeve për Federatat anëtare, si edhe ridimensionimin e influencës së UEFA-s, krijon kushtet e një bashkëpunimi me struktura të mirëfillta politikbërëse, si Komisioni Evropian apo Komiteti Evropian i Rajoneve. Të gjithë pikat e diskutuara në Bruksel, do të jenë në axhendën e mbledhjes së radhës të Komitetit Ekzekutiv të Investimeve, për të çuar përpara këtë nismë të përbashkët evropiane që i jep një dimension të ri lojës së futbollit.