AlbanianSport.com 09.03.2016 14:30
ASNN – Çmimi i marrë nga trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhovani De Biazi, “Pankina e Artë” Speciale, nga Shoqata e Trajnerëve Italianë të Futbollit, është festuar në Federatën Shqiptare të Futbollit, ku i është dhënë edhe një pllakatë me tre ndeshjet e grupit, të cilat Kombëtarja shqiptare do të përballet në Kampionatin Evropian.
“Do të donim që pas këtyre 3 ndeshjeve të shtojmë një ose dy, sepse për më shumë quhet ëndërrim, por duhet të kemi parasysh që të mos e ekzagjerojmë, sepse kundërshtarët që kemi në grup janë shumë të fortë”, – ka deklaruar italiani me pasaportë shqiptare i stolit kuqezi.
Trajneri i Kombëtares mori lëvdata edhe nga trajnerë të vjetër shqiptarë. De Biazi konfirmoi se kombëtarja shqiptare do të luajë dy ndeshje miqësore në fund të marsit ndërkohë që dy ndeshje të tjera do të jenë në fund të majit, çka, sipas De Biazit do ta përgatisin edhe më shumë ekipin e tij.