AlbanianSport.com 23.04.2016 11:15
ASNN – Pas një sërë ndryshime dhe shtyrjesh, është vendosur që Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit t’i luajë të hënën të gjitha ndeshjet e javës së saj të 31-të. Ndonëse ishte njoftuar fillimisht se sfida Vllaznia-Flamurtari do të luhej të dielën, tanimë edhe ajo është zhvendosur të hënën.
I kontaktuar nga AlbanianSport.com nëpërmjet linjës telefonike, shefi i garave në Federatën Shqiptare të Futbollit, Lysjen Nurishmi, ka konfirmuar se, përfundimisht, të gjitha ndeshjet e kësaj jave do të luhen të hënën. Kështu, 4 prej tyre do të luhen duke nisur nga ora 16:00.
Dhe Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar do të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt sfidën më interesante, atë midis Kukësit dhe Partizanit. Tri takimet tjera të pasdites janë Vllaznia-Flamurtari, Tërbuni-Teuta dhe Bylisi-Laçi. Java e 31-të mbyllet në mbrëmje, me takimin e orës 19:00, midis Tiranës dhe Skënderbeut.
Korçarët, kampionë në fuqi, kryesojnë renditjen e Kategorisë Superiore me 66 pikë, dy më tepër sesa Partizani i vendit të dytë, ndërsa Kukësi i vendit të tretë ka mbetur prapa, në kuotën e 52 pikëve.