Adriatik Balla 29.09.2015 17:05
Ndeshjet e Kategorisë së Dytë të luajtura të dielën nuk janë mbyllur normalisht e shumë të tjera nuk u luajtën, sepse disa klube janë debitore ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit, e cila, pas shumë përpjekjesh të dështuara për të mbledhur borxhet, vendosi të bëjë të “fortin”, duke dhënë vendime të ashpra për moslojë, apo dhe për humbje në tavolinë, madje t’i kërcënojë këto klube me përjashtim nga gara. Referuar Rregullores së Veprimtarive Sportive për këtë sezon (fq.15), klubet kanë detyrim pagesën e anëtarësimit, por edhe atë të pjesëmarrjes në garë.
Klubet e Superiores e kanë pagesën e pjesëmarrjes në garë prej 1130500 lekë, ata të Kategorisë së Parë 810000 lekë ndërsa ata të Kategorisë së Dytë paguajnë një shumë më pak se 600000 lekë. Klubet e Bilisht Sportit, Memaliajt, Përmetit, Tepelenës dhe Himarës, kanë detyrime të papaguara, që i kalojnë shifrat e një viti, pra janë debitore prej dy apo tri sezonesh. Për këtë arsye atyre u mohohet të jenë në garë nëse nuk derdhin detyrimet, për pasojë do t’i humbasin ndeshjet në tavolinë deri në dy javë radhazi.
Dhe, në fund, nëse brenda dy javëve nuk paguajnë, atëherë përjashtohen përfundimisht nga gara. Këtë e konfirmoi dje edhe shefi i Sektorit të Garave në FSHF, Lysien Nurishmi, i cili mbrojti vendimet e marra nga federata, duke iu referuar rregulloreve. “Është një masë që bazohet tërësisht në rregullore dhe këto klube kanë borxhe të akumuluara ndaj FSHF-së, – tha Nurishmi. – Një pjesë prej tyre kanë mbi 15 milionë lekë pa paguar, sepse i kanë të mbartura nga vitet e shkuara. Durimit tonë i erdhi fundi dhe është në interesin e bashkive që kanë këto klube të bëjnë derdhjen e pagesës, si kusht për garë të ndershme e normale.”
I pyetur pse një vendim i tillë u mor pikërisht tani dhe në këtë shkallë interpretimi, Nurishmi tha se ky duhej të ishte një reagim i mëhershëm, por FSHF vendosi të reflektojë në kohën e duhur, për të bindur klubet se respektimi i rregullores është i domosdoshëm për mbarëvajtjen e garës. “Nuk ka asgjë të paligjshme në vendimin e dhënë, – ka sqaruar ai. – Klubet duhet të shlyejnë detyrimet e tyre dhe nëse e bëjnë këtë do të zhvillojnë gara normale. Për momentin ata do të humbasin ndeshjet e tyre në tavolinë.”
“E njëjta gjë do të ndodhë dhe në javën tjetër dhe nëse kjo gjendje vijon edhe më pas, atëherë automatikisht këto skuadra përjashtohen”, – theksoi më tej kreu i Sektorit të Garave në FSHF. Për Nurishmin, Federata ishte treguar e duruar me klubet dhe kishte marrë premtim prej tyre se do ta bënin pagesën, por klubet nuk e mbajtën fjalën, duke justifikuar kështu edhe ndërhyrjen për ndërprerjen e ndeshjes në Tepelenë. Pyetjes së gazetës “SOT” se a ka klube të tjera që vuajnë nga kjo “sindromë”, Nurishmi iu përgjigj se janë vetëm klubet të cilave u është publikuar emri në komunikatën e federatës të dalë ditën e dielë.
Ndërkohë, ai kujtoi se nga Kategoria Superiore nuk lindin probleme, pasi kontrata që FSHF ka me klubet e saj i detyron të bëjnë pagesën në kohë, në të kundërt federata ndërhyn tek e drejta e tyre televizive, pra i merr në një mënyrë tjetër. Problem sipas tij janë vetëm klubet e kategorive inferiore.