AlbanianSport.com 22/03/2021 18:40
ASNN – Nëpërmjet një njoftimi të shkurtër, të botuar në faqen e vet zyrtare në Internet, Federata Shqiptare e Futbollit ka informuar të gjithë klubet e Kategorisë Superiore si dhe trajnerët e tyre që janë të pajisur me një licencë UEFA A, dhe që iu ka skaduar vlefshmëria e kësaj licence në vitet 2019-2020 “për shkak të pandemisë Covid-19”.
Ata ftohen të paraqiten pranë Sektorit të Edukimit në Qendrën Stërvitore të Ekipeve Kombëtare në Kamëz për të rinovuar licencat e tyre. Kryerja e rinovimit të licencave do të bëhet në datat 29-30-31 mars 2021, nga ora 8:30.
FSHF ka theksuar se mosparaqitja e trajnerëve për rinovimin e licencave ngarkon me përgjegjësi të plotë klubet e Kategorisë Superiore, të cilat në rast të mospërmbushjes së këtij kriteri do të jenë objekt i Komisioneve Disiplinore në procesin e llicencimit të tyre.