AlbanianSport.com 07/01/2021 21:40
ASNN – Në 12 janar 2021 fillon turneu i ekipeve përfaqësuese rajonale për moshat Nën-15, Nën-14 dhe Nën-13-vjeç. Qëllimi i këtij turneu është evidentimi i talenteve të reja që militojnë në kampionatet rajonale të FSHF-së dhe vëzhgimi i tyre nga stafi i ekipeve Kombëtare.
Në këtë turne do të marrin pjesë ekipet përfaqësuese rajonale të këtyre 3 grupmoshave nga Tirana, Durrësi, Fieri, Shkodra, Elbasani, Korça, Lezha dhe Gjirokastra. Në bazë të rregullores së këtij aktiviteti, kohëzgjatja e çdo ndeshjeje do të jetë, për moshën Nën-13-vjeç me dy pjesë nga 30 minuta secila.
Ndërkaq, për moshën Nën-14-vjeç me dy pjesë nga 35 minuta, kurse për moshën Nën-15-vjeç me dy pjesë nga 40 minuta secila. Në rast barazimi nuk do të ketë kohë shtesë, por do të aplikohen goditjet e 11-metërshave për të përcaktuar fituesin e çiftit.
FSHF bën me dije se për çdo ndeshje do të ndiqet protokolli zyrtar sa i përket gjyqtarëve dhe stafeve shëndetësore. Ndeshjet do të zhvillohen në Fier dhe Kamëz, në aneksin e Stadiumit “Loni Papuçiu” dhe në Qendrën Ekipeve Kombëtare. Ndërsa finalet për 3 kategoritë e moshave do të luhen në QEK në Kamëz.