AlbanianSport.com 25.03.2017 18:55
ASNN – Ndjesë të sinqertë publike për incidentin e shëmtuar, duke garantuar që episode të tilla të izoluara nuk mundet kurrsesi të lëkundin raportet e miqësive tona të përbashkëta mes dy popujve. Po edhe masa kundrejt grupimit të tifozëve shqiptarë që ishin shkaktarë të ndërprerjes së ndeshjes në Palermo. Ka qenë ky reagimi i Federatës Shqiptare të Futbollit, ndërsa në Itali kanë nisur edhe arrestimet e para, teksa janë skeduar 77 tifozë.
Nëpërmjet një deklarate për shtyp, të afishuar në faqen e saj zyrtare në internet, Federata Shqiptare e Futbollit ka dënuar me force aktet e shëmtuara dhe aspak sportive të ndodhura të premten në mbrëmje në Stadiumin “Renzo Barbera”, akte të cilat sollën ndërprerjen e ndeshjes dhe rrezikuan ndjeshëm pezullimin e saj. Sipas FSHF-së, këto veprime tërësisht ekstremiste nga grupimi “ILLYRIAN ELITE” nuk kanë aspak lidhje me tifozët e shkëlqyer shqiptarë.
Ato cënuan rëndë imazhin fantastik të tifozëve kuqezinj, të cilët gjithmonë kanë qenë në mbështetje të skuadrës, duke ndenjur afër saj me korrektësi dhe si një lojtar i 12-te për këtë ekip. Duke kërkuar ndjesë publike, dhe duke u distancuar tërësisht nga veprime të tilla krejtësisht të papranueshme, Federata Shqiptare e Futbollit njofton ka vendosur të mos japë dhe të mos shpërndajë me asnjë bilete për në stadium, anëtarëve të këtij grupimi.
Ashtu, sikundër të gjithë ata tifozë qe janë regjistruar në emër të këtij grupimi në Klubin e Tifozëve të Kombëtares në FSHF nuk do të jenë me pjesë e tij. Ndërkohë, skenat e shëmtuara që çuan edhe në ndërprerjen e përkohshme të ndeshjes midis Italisë dhe Shqipërisë, kanë patur padyshim autorë dhe autoritetet italiane kanë nisur që mbrëmë të arrestojnë dhe të ndalojnë tifozët që prishën ndeshjen.
Sipas mediave italiane, është arrestuar menjëherë gjatë ndeshjes një tifoz shqiptar, i cili po hidhte fishekzjarrët, ndërsa më pas janë identifikuar edhe 77 mbështetës të tjerë të Shqipërisë të cilët janë në kërkim pasi ndiqen penalisht.