AlbanianSport.com 19/12/2018 21:10
ASNN – Siç është bërë traditë prej shumë vitesh, Federata Shqiptare e Futbollit organizoi të mërkurën mbrëmjen gala të fundvitit, ku bëri edhe ndarjen e shumë çmimeve për futbollistë e ish-futbollistë të njohur. Pikërisht në këtë darkë të fundvitit, çmimin “Nderi i Futbollit Shqiptar” e morën 3 figura të shquara. Më konkretisht, u nderua Perlat Musta, ish-portieri i famshëm i Partizanit dhe i Kombëtares kuqezi.
Po kështu, edhe Edvin Murati, ish-mesfushori i kombëtares dhe një prej lojtarëve më teknikë të përfaqësueses kuqezi në vitet 2000, si dhe Qamil Teliti, kavajasi i shquar që nderohet pas vdekjes. Por FSHF nuk u ndal me kaq. Serinë e çmimeve e vijuan me disa protagonistë të së shkuarës që aktualisht kanë kontribut në skuadrat e ndryshme të futbollit tonë si zyrtarë klubesh apo dhe trajnerë.
Kështu, me titullin “Legjenda e Futbollit Shqiptar” u nderuan Genc Tomori, ish-futbollist i Partizanit dhe aktualisht zyrtar i këtij klubi; Osman Mema i Tiranës, por edhe Agim Canaj, ish-mesfushor dhe trajneri i Dinamos, njëherësh trajneri shumë skuadrave në fubtollin tonë. Natyrisht, kulmi i mbrëmjes ishte vlerësimi për futbollistin më të mirë të vitit 2018. Dhe ky çmim shkoi për mesfushorin e skuadrës së Partizanit, Lorenc Trashi, i cili e fiton për herë të parë këtë çmim.
Trashi ka spikatur me skuadrën e kuqe, duke qenë ndër mesfushorët më të qëndrueshëm të kampionatit dhe me kontribut sidomos për “demat” kryeqytetas.