AlbanianSport.com 30/08/2019 20:40
ASNN – Janë bërë të ditura të premten, vendimet e Disiplinës, ku Tirana shpëton me gjobë, dënohen dy futbollistë. Në mbledhjen e tij të radhës, Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, ka analizuar sjelljet josportive të vërejtura në javën e parë dhe të dytë të Superligës dhe ka marrë edhe vendimet përkatëse për plot 3 situata të vërejtura.
Kështu janë pezulluar me nga dy ndeshje mbrojtësi i Kukësit Bruno Lulaj dhe sulmuesi i Partizanit Theophilus Solomon, të cilët u konfrontuan me njëri-tjetrin në ndeshjen hapëse të Superiores. Ndërkohë ka shpëtuar me vetëm me një gjobë 50 mijë lekëshe klubi i Tiranës, për shkak të sjelljes së pahijshme të tifozërisë, që hodhën sende në fushë në ndeshjen e javës së dytë mes bardhebluve dhe Teutës.
Vendimi i Komisionit të Disiplinës së FSHF datë 30.08.2019
- Lojtari i FK “Partizani”, Solomon Theophilus, për lojë të rëndë ndaj kundërshtarit, në bazë të Nenit 47/1/b të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktivitetet.
- Lojtari i KF “Kukësi”, Bruno Lulaj, për lojë të rëndë ndaj kundërshtarit, në bazë të Nenit 47/1/b të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktivitetet.
- KF “Tirana”, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në terrenin sportiv, në bazë të Nenit 65/3/c dhe Nenit 65/4/a të KDS, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetëmijë) lekë.
Kundër vendimit lejohet ankim brenda 3 (tre) ditëve përpara Komisionit të Apelit.