AlbanianSport.com 05/01/2018 16:15
ASNN – Shtyrja e ndeshjes Laçi-Skënderbeu fut në sherr Superioren, Flamurtari e Partizani “shigjeta” FSHF-së. Ndeshjet e Kombëtares më 17 nëntor në Shkodër kundër Skocisë dhe më 20 nëntor në miqësoren ndaj Uellsit, kanë bërë që Federata Shqiptare e Futbollit të krijojë hapësirën e duhur kohore për kujdesin ndaj fushave, në mënyrë që tapeti në të dy impiantet të jetë në standardin e kërkuar për dy ndeshje të ekipit përfaqësues.
Për këtë arsye, Laçi që nuk ka fushë të vetën dhe i luan ndeshjet në këto dy impiante, nuk ka ku ta luajë takimin e saj këtë mesjavë kundër Skënderbeut, dhe FSHF ka marrë vendim që ndeshja Laçi-Skënderbeu e planifikuar të luhet të martën të shtyhet për një afat të pacaktuar, ose më saktë deri në marrjen e një vendimi të dytë. Pikërisht ky vendim i FSHF-së, ka acaruar klubet e Flamurtarit e të Partizanit, që mendojnë se është një lëvizje djallëzore për të favorizuar Skënderbeun rival për titull.
Sipas pikëpamjes së këtyre klubeve, lëvizja e federatës synon t’i japë kohë Skënderbeut të përgatitet qetësisht dhe të mos jetë i lodhur për duelet e fundjavës. Pra, duke e shtyrë ndeshjen, i jep kohë Skënderbeut të përgatitet si duhet e të jetë i freskët në takimet e javës së 13-të, kurse duelin me Laçin (për javën e 12-të) ata e cilësojnë një përballje “miqsh”. Në fakt, Partizani nuk ka mbajtur qëndrim zyrtar për këtë çështje, por shqetësimi ka lindur nga njerëzit pranë klubit.
Kurse për Flamurtarin ka reaguar administratori Sinan Idrizi, i cili beson se vendimi i FSHF-së është marrë enkas për të favorizuar Skënderbeun. “Të dielën njerëzit shkojnë në kishë, – është shprehur me ironi Idrizi, – nëse bëhen gjëra të tjera janë vepra të djallit.” Sot reagoi dhe presidenti i Kukësit, Safet Gjici, i cili e quan një vendim të çuditshëm, për sa kohë stadiumet i ka licensuar vetë federata. Por presidenti i Kukësit thotë se nuk e beson që FSHF të ketë djallëzi në vendimet e saj.
Kjo çështje po merr përmasa shqetësuese në një moment që rivaliteti në garë po rritet dita-ditës. Megjithatë, gjërat nuk duhen parë jashtë “habitatit” të tyre natyral, si shumë gjëra në Shqipëri, edhe ky vendim i federatës e shkaktoi zhurmën e radhës.