AlbanianSport.com 20.02.2015 11:45
ASNN – Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (KAS) në Lozanë do ta shqyrtojë më 16 dhe 17 prill çështjen e incidentit të 14 tetorit 2014 në sfidën Serbi-Shqipëri. Kjo gjykatë ka njoftuar se ka pranuar dhe do të shqyrtojë në mesin e prillit ankesën e palës shqiptare dhe asaj serbe, pas vendimit të Komisionit Disiplinor të UEFA-s, por edhe Komisionit të Apelit, që i jep Serbisë fitoren 3-0 në tavolinë.
Një gjë e tillë është bërë publike nga një njoftim i shkurtër i afishuar në faqen e Internetit të Federatës Shqiptare të Futbollit, ku sqarohet se më datë 16 prill do të dëgjohen pretendimet e palës serbe dhe një ditë më pas të asaj shqiptare. Megjithatë, në kalendarin e çështjeve, të afishuar në faqen zyrtare në Internet të KAS-it të Lozanës, nuk rezulton asnjë informacion mbi çështjen e ndeshjes Serbi-Shqipëri.
Pranimi i kësaj çështjeje për shqyrtim nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv, u bë i ditur me anë të një njoftimi të datës 8 janar 2015. “Në ankesën e bërë në KAS, Federata e Futbollit e Shqipërisë dhe ajo e Serbisë kërkojnë anulimin e vendimeve të UEFA-s ose t’u ulen dënimet e e tjera mbi këtë çështje. Të dy procedurat janë hapur dhe do të kryhen në përputhje me kodin për arbitrazh sportiv”, – thuhej në njoftimin e KAS-it.
Gjykata e Arbitrazhit Sportiv ishte zgjidhja e fundit e Federatës Shqiptare të Futbollit për të fituar atë që, sipas saj, i takon për ndeshjen e ndërprerë të 14 tetorit 2014 kundër Serbisë në Beograd. Si Komisioni i Disiplinës, ashtu edhe ai i Apelit, ia kanë dhënë ndeshjen në tavolinë Serbisë, duke i ndëshkuar të dyja vendet me nga 100,000 euro gjobë për trazirat në sfidën e Beogradit.
Gjyqësori i UEFA-s i ka hequr gjithashtu Serbisë 3 pikë, si dhe e ka dënuar t’i luajë 2 ndeshje në fushën e vet pa tifozë.