Gjergj Vyshka 14.09.2016 10:05
12 skuadra nuk plotësojnë kriteret e pagesës dhe të licencimit për të marrë pjesë në kampionatin e Kategorisë së Parë. FSHF i lë afat deri ditën e sotme, më pas do të përjashtohet nga Kategoria e Parë. Federata Shqiptare e Futbollit ka pritur deri pasditen e djeshme që klubet e Kategorisë së Parë të plotësojnë kriteret e pagesës dhe të licencimit për të marrë pjesë në kampionatin e Kategorisë së Parë, por kjo nuk ka ndodhur. Menjëherë, me anë të një deklarate zyrtare, FSHF njofton se janë 12 klube, 5 në Veri dhe 7 në Jug që nuk plotësojnë kushtet për të marrë pjesë në kampionat.
Ndaj pritet përjashtimi i tyre, nëse nuk likuidojnë pagesat deri ditën e sotme. “Pas vendimit qarkullues të Komitetit Ekzekutiv të FSHF, për shtyrjen e kampionatet kombëtare të Kategorisë së Parë i planifikuar për të nisur më datë 10 shtator dhe të Kategorisë së Dytë, i planifikuar për të filluar më datë 18 shtator, disa nga klubet kanë nisur të shlyejnë detyrimet e tyre”, – shkruhet në deklaratën e organizmit që qeveris basketbollin shqiptar. – Vendimi i linte atyre afat që të plotësonin të gjitha detyrimet financiare dhe ato të licencimit deri dje më datë 12 shtator.”
FSHF, njofton se ka ende klube të cilat nuk kanë shlyer detyrimet financiare dhe nuk kanë plotësuar kriteret e licencimit. Për këtë arsye dhe me kërkesë të tyre, është vendosur që atyre t’ju jepet edhe një mundësi e fundit, deri nesër (sot) më datë 14 shtator”. “Pas këtij afati, skuadrat që nuk kanë plotësuar kriteret e licencimit, nuk do të përfshihen në short dhe rrjedhimisht nuk do të marrin pjesë në Kampionatin Kombëtar të Kategorisë së Parë, – shkruan FSHF-ja. – Këto skuadra do të zëvendësohen nga ekipe të Kategorisë së Dytë, në bazë të meritës sportive.”
“Për këtë arsye, po publikojmë edhe listën me ekipet që nuk kanë plotësuar kriteret e licencimit e nuk kanë shlyer detyrimet financiare”, – përfundon deklarata e Federatës Shqiptare të Futbollit.
Klubet e futbollit që nuk kanë plotësuar
detyrimet financiare dhe kriteret e licencimit
deri në datë 13.09.2016 janë:
Kategoria e Parë – Grupi A
1) KF Adriatiku Mamurras
2) KF Burreli
3) KS Kastrioti
4) KF Kamza
5) KF Shënkolli
Kategoria e Parë – Grupi B
1) KF Bylis
2) KF Pogradeci
3) KF Elbasani
4) KF Shkumbini
5) KF Sopoti
6) KF Turbina
7) FK Dinamo