AlbanianSport.com 10/08/2019 16:20
ASNN – Ishte vënë në dyshim deri edhe vetë nisja e sezonit, ndërsa edhe shorti i Kategorisë Superiore, u hodh në skajet më të mëdha të kohës së mbetur në dispozicion. Natyrisht, çështja e Skënderbeut dhe pasojave që mund të kishte ajo, por edhe çështja e licencimeve dhe financave, kishin vënë në pikëpyetje gjithçka sa i përket nivelit më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Dhe pyetja që mediat kanë bërë të shtunën, pas hedhjes së shortit për kalendarin e Superiores ishte nëse i kanë plotësuar të gjitha klubet kriteret e licencimit.
Ai që është përgjigjur, ka qenë Presidenti i Ligës Profesioniste, Edvin Libohova, i cili i ka siguruar mediat se, përderisa të gjitha skuadrat janë përfshirë në short, do të thotë se janë në rregull me kushtet që duhet të plotësojnë. “Përderisa janë në short do të thotë që komisioni i licencimit ka bërë punën e vet dhe ka konstatuar që janë në përputhje me kërkesat për të marrë pjesë në Superiore, – ka thënë eksperti i njohur shqiptar i financave, tanimë zv/president i FSHF-së. Sa i përket faljes së borxheve, ai ka pohuar se e kanë kërkuar, por nuk është kompetenca e FSHF-së.
“Nuk bëhet fjalë thjesht për falje borxhesh, por ndoshta bëhet fjalë për falje kamatvonesash dhe penalitetesh, – ka sqaruar Libohova. – Falja e borxheve është proces që kalon në kompetencat e Ministrisë së Financave dhe qeverisë, që gjykojnë përtej kërkesave që kanë klubet. Unë do të thoja se më e pranueshme do të ishte zerimi i penaliteteve dhe gjobave që klubet kanë për detyrimet e tyre.” Sa i përket funksionimit të Ligës Profesioniste, nr. 2 organizmit që qeveris futbollin në vend sqaroi se FSHF-ja është duke pritur vendimin e qeverisë për ligjin për sportin.”
“Zoti Rama premtoi (në tryezën e rrumbullakët për futbollin) se në shtator ky ligj do të diskutohet, ndërkohë do të përgatitemi që ekipet të jenë gati për të mundësuar thithjen e fondeve, – ka thënë Libohova. – Duhet formalizim, duhet organizim më i mirë i klubeve, sepse thjesht ligji për sportet, ndryshimet që do të bëhen do të kenë kritere, do të kenë procedura dhe jo kushdo mund t’i plotësojë. Ne po përgatitemi që të jemi gati për thithjen e fondeve për Ligën, përfshirë këtu edhe emrin e Ligës, po mendojmë shitjen e emrit të Ligës.”