AlbanianSport.com 15/01/2021 16:35
ASNN – Federata Shqiptare e Futbollit do të organizojë në datat 25-28 janar kursin e formimit të fizioterapistëve “Human Tecar”. Ky kurs, që do të zhvillohet në mjediset e Federatës në kryeqytet, do të ketë lektorë të fushës së mjekësisë sportive siç janë: drejtuesi i Departamentit të Mjekësisë Sportive në FSHF, Xhanluka Stesina, Ilvi Begolli, i cili është fizioterapist pranë FSHF-së, Arzen Voci, fizioterapist i Kombëtares A të futbollit, si dhe specialisti i “Tecarterapia”, Françesko Fasino. Kursi do të jetë i ndarë në dy pjesë: pjesë teorike dhe më pas do të vijojë me pjesën praktike.
Në pjesën teorike, fillimisht do të bëhet një hyrje dhe prezantim i kursit “Human Tecar”, dhe më pas do të vijohet me përdorimin e “TECAR”, përdorimin e modaliteteve “rezistiv dhe capacitiv”, anatominë muskulare dhe tendinat, fiziologjinë dhe biomekanikën e sportistit në futboll, fizpatologjinë e dëmtimeve mio-tendinoze, dëmtimet kryesore muskulare e tendinoze, trajtimin fizioterapeutik të dëmtimeve në sport, trajtimin me tecarterapi në bazë të modaliteteve rezistiv dhe capacitiv të dëmtimeve në sport.
Ndërsa pjesa praktike do të përfshijë ndarjen në 5 grupe prej 5 personash dhe vënien në praktikë të përdorimit të tecarterapisë, prova praktike në pjesë të ndryshme muskulare dhe në fund do të ketë edhe diskutime. Organizmi që qeveris futbollin në vend ka sqaruar, nëpërmjet një njoftimi të botuar në faqen e vet zyrtare në Internet, se kursi do të zhvillohet i ndarë në dy faza kohore. Në datat 25-26 janar, kursi do të jetë i hapur vetëm për fizioterapistët e ekipeve kombëtare (meshkuj, femra), Kategorisë Superiore dhe Kategorive më poshtë.
Ndërsa në datat 27-28 janar, kursi do të jetë i hapur për të gjithë studentët, mjekët, fizioterapistët dhe për të gjithë ata që duan të dinë për aplikimin e Tecarterapisë. Numri maksimal i personave që mund të marrin pjesë është 20. Në fund të kursit, pjesëmarrësit do të pajisën me certifikatë nga FSHF dhe “Human Tecar Italia”. Për të gjithë personat e interesuar të cilët duan të regjistrohen në këtë kurs, Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar se format e komunikimit janë si më poshtë:
E-mail: drejtoria.teknike@fshf.al
Nr. tel: +355 68 404 0033