AlbanianSport.com 29/09/2021 20:10
ASNN – Anëtarët e Komitetit HatTrick të UEFA-s kanë mbërritur të mërkurën në Tiranë në kuadër të mbledhjes së radhës së këtij organi, që zhvillohet për herë të parë në vendin tonë nën kujdesin e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF). Fillimisht, delegacioni i UEFA-s, i kryesuar nga kryetari i Komitetit HatTrick, Karl-Erik Nilson, i cili është njëkohësisht edhe Zv.President i UEFA-s, kanë vizituar mjediset e “Shtëpisë së Futbollit” (zyrat e FSHF-së) dhe janë njohur me investimet që organizimi që qeveris futbollin në vend ka bërë në këtë kompleks.
Në mjediset e “Shtëpisë së Futbollit”, ku do të zhvillohet edhe mbledhja e këtij Komiteti, anëtarët e “HatTrick” kanë përuruar Muzeun e Futbollit, duke u njohur me një pjesëz të historisë së futbollit shqiptar. Më tej, delegacioni vizitoi Stadiumin “Arena Kombëtare”, vepra më e madhe infrastrukture e ndërtuar në vendin tonë edhe me kontributin financiar të “HatTrick”. Siç është edhe traditë në mbledhjet apo takimet e UEFA-s, anëtarët e Komitetit zhvilluan edhe një ndeshje futbolli ku nuk munguan golat dhe momentet e gëzuara.
Pas aktivitetit në stadium, i gjithë delegacioni u drejtua për në darkën zyrtare, ku Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, duke falënderuar të gjithë pjesëmarrësit e këtij takimi në Tiranë. Ai e ka konsideruar si një eveniment historik dhe vlerësim për futbollin shqiptar organizimin e një takimi kaq të rëndësishëm në Tiranë, shprehu bindjen se në mbledhjen e nesërme do të merren vendimet e duhura në të mirë të futbollit evropian.
“Ky aktivitet për mua është historik sepse vjen pas një kohe të vështirë epidemie dhe kemi bërë shumë takime “online” dhe, më në fund, sot takohemi për herë të parë, pas një periudhe thuajse dy vjeçare fizikisht dhe uroj që kjo periudhë e vështirë e “Covid-19” të ketë kaluar”, – ka thënë Duka. – Besoj që ju do ta kujtoni që pas kësaj periudhe të vështirë, jemi takuar në Tiranë dhe kështu do ta kujtoni edhe më shumë Tiranën apo Shqipërinë.”
“Duke qenë vërtetë një vlerësim për futbollin shqiptar, unë do të doja të falënderoja në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit, Kryetarin e Komitetit “HatTrick”, z. Karl-Erik Nilson dhe administratën e UEFA-s që bënë të mundur organizimin e këtij eventi të rëndësishëm në Tiranë, , – ka vijuar 58-vjeçari. – Gjithmonë HatTrick -u, si një nga Komitetet më të rëndësishme të UEFA-s, merr vendime të rëndësishme, këtë gjë duhet të bëjë edhe nesër. Unë jam shumë i bindur që me debatet e diskutimet e nesërme, ne do të marrim vendimet e duhura që do t’i shërbejnë projekeve të zhvillimit të futbollit evropian.”