AlbanianSport.com 15/12/2018 18:05
ASNN – Të shtunën është zhvilluar në mjediset e Federatës Shqiptare të Futbollit mbledhja e radhës e Komitetit Ekzekutiv. Sipas njoftimit të organizmit që qeveris futbollin në vend, të afishuar në faqen e tij zyrtare në Internet, i drejtuar nga Presidenti Armand Duka, Komiteti Ekzekutiv ka diskutuar në lidhje me disa çështje të rëndësishme të përcaktuara në rendin e ditës si dhe ka miratuar disa propozime.
“Komiteti Ekzekutiv i FSHF është njohur me raportin e komisionit të futbollit të femrave, ku është analizuar në detaje situata dhe ecuria për vitin 2018, – informon njoftimi në fjalë. – Futbolli i femrave ishte edhe pika e parë e rendit të ditës, duke qenë një nga shtyllat më të rëndësishme të strategjisë 2018-2022 të Federatës Shqiptare të Futbollit. Procesi i licencimit të klubeve për sezonin 2019-2020 ishte një tjetër temë diskutimi e kësaj mbledhjeje, ku anëtarët e Komitetit Ekzekutiv u njohën me planin e veprimit të hartuar nga Komisioni i Licencimeve në FSHF. Në këtë mbledhje Komiteti Ekzekutiv miratoi edhe raportin vjetor të komisionit të mjekësisë sportive.” Në fund, Komitetit Ekzekutiv i FSHF, ka miratuar propozimet për dekorime të figurave të shquara të futbollit shqiptar, të cilat shpallen në festën tradicionale të fundvitit.