AlbanianSport.com 23.11.2016 11:40
Dje paradite, në orën 11:00, është zhvilluar në Federatën Shqiptare të Futbollit mbledhja e radhës e Komitetit Ekzekutiv të këtij organizmi. Nën drejtimin e Presidentit Armand Duka, ky forum ka diskutuar në lidhje me disa çështje të rëndësishme dhe ka miratuar disa propozime. Ai është njohur dhe ka miratuar, projektin e paraqitur “Për blerjen e topave të futbollit, për të gjitha ekipet e regjistruara në FSHF”.
Ky projekt ka për bazë furnizimin pa pagesë me topa futbolli të certifikuar nga FIFA për çdo vit, duke filluar nga sezoni futbollistik 2017-2018, për të gjithë nivelet e futbollit, duke filluar nga Kategoria Superiore dhe deri tek futbolli amator dhe ai i fëmijëve. FSHF-ja do të blejë topa dhe, më pas, do t’ia dhurojë të gjitha klubeve. Topat do të jenë të stampuar me logon e FSHF-së dhe të veprimtarive përkatëse.
Futbolli i femrave, ka qenë një tjetër temë diskutimi në Komitetin Ekzekutiv. Ai ka miratur propozimin që ka lidhje me rritjen e mbështetjes financiare për këtë kategori për ekipet pjesëmarrëse në Kampionatin Kombëtar në vlerën e 1 milion lekëve. Klubet anëtare të FSHF-së, që do të kenë në organikën e tyre ekipe të futbollit të femrave do të përfitojnë bonus financiar prej 1.5 milionë lekësh.
Gjithashtu, këto klubë që do të ndërtojnë ekipe moshash të fermrave do të kenë sërish një bonus tjetër financiar prej 500 mijë lekësh. U miratuan gjithashtu kalendarët e kampionateve të shkollave të mesme, kampionatin e shkollave të mesme të minifutbollit, të turneut “Coca-Cola” dhe të kampionatit të të verbërve, si dhe miratimi i rregullores së Kategorisë së 3-të.
Në fund, Komitetit Ekzekutiv i FSHF, ka miratuar propozimet për dekorime të figurave të shquara të futbollit shqiptar, të cilat shpallen në festën tradicionale të fundvitit.