AlbanianSport.com 15/04/2021 19:55
ASNN – Klubi shkodran ka marrë “dritën jeshile” nga FSHF-ja, Ademi jep lajmin e mirë. Vetëm 24 orë pasi ka rigjetur finalen e Kupës së Shqipërisë, pas 11 vjetësh, ku do të përballet me Skënderbeun, Vllaznia ka marrë një tjetër lajm të mirë. Ndërkohë që, me kualifikimin për në finale të Kupës kuqeblutë e kanë prekur praktikisht pjesëmarrjen në Kupat e Evropës sezonin e ardhshëm në aspektin sportiv, të enjten ata janë siguruar që e kanë prekur edhe në aspektin administrativ.
Federata Shqiptare e Futbollit i ka dhënë klubit shkodran licencën për të marrë pjesë në veprimtaritë e saj sezonin e ardhshëm, licencë që tashmë është e njëjtësuar dhe vlen edhe për veprimtaritë kontinentale. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, e cili, nëpërmjet një postimi në në rrjetet sociale ka publikuar dhe shkresën e FSHF-së, të nënshkruar nga Sekretari i Përgjithshëm i organizmit që qeveris futbollin shqiptar, Ilir Shulku.
“Dua të ndaj me të gjithë një lajm fantastik: Ekipet e Vllaznisë, të vajzave dhe djemve, janë licencuar për pjesëmarrjen në Kupat e Evropës!” – shkruan kryebashkiakja Ademi, duke vijuar: “Është kurorëzim i përpjekjeve të përbashkëta të disa faktorëve, të cilët unë dua t’i falënderoj me zemër! Pavarësisht pengesave, të gjithë bashkë ne i kapërcyem ato, duke plotësuar kriteret e licencimit të vendosura nga UEFA”, – ka përfunduar ajo.
Në fakt, kanë qenë 39.2 milion lekët që Vllaznia pagoi për të bërë një marrëveshje me Tatimet sa u përket detyrimeve të prapambetura ato që kanë bërë që FSHF t’u hapë shkodranëve rrugën për në Kupat e Evropës. Përveç një triumfi të mundshëm në finalen e Kupës së Shqipërisë, për Vllazninë do të mjaftonte edhe vendi i katërt në kampionat për të siguruar Evropën. Vitet e fundit ka qenë ekipi i femrave që bënte krenare Shkodrën.
Dhe vajzat kuqeblu janë licencuar gjithashtu dhe pritet të luajnë sërish në eliminatoret e Ligës së Kampioneve të futbollit për femra, pasi titulli “kampion” edhe sivjet pritet të bëhet i tyre.