AlbanianSport.com 18.08.2015 13:55
ASNN – Gjykimi është një nga aspektet kryesore të lojës së futbollit dhe në këtë prag të sezonit të ri të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, Federata Shqiptare e Futbollit po organizon në kryeqytet,, në mjediset e Hotelit “White Dream” në Sauk, një seminar vjetor, ku marrin pjesë gjyqtarët kryesorë dhe ndihmësit e tyre. Sipas shefit të sektorit të gjyqtarëve në FSHF, Plarent Kotherja, nga sezoni në sezon, vihet re edhe rritja e nivelit të gjykimit në futbollin shqiptar.
Në prag të sezonit të ri të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, i cili nis më 21 gusht 2015, Federata Shqiptare e Futbollit po organizon në kryeqytet një seminar vjetor, ku marrin pjesë gjyqtarët kryesorë dhe ndihmësit e tyre. Sipas shefit të sektorit të gjyqtarëve në FSHF, Plarent Kotherja, ky seminar fokusohet në një analizë teknike të edicionit të kaluar si dhe ndryshimet e reja në rregullore, të cilat vijnë nga Federata Botërore e Futbollit (FIFA).
“Ky është një seminar 3-ditor, që ne e zhvillojmë çdo vit, përpara nisjes së sezonit të ri dhe që përfshin të gjithë elementët e gjykimit në futbollin shqiptar, – tha Kotherja, duke folur për AlbanianSport.com. – Në aspektin teorik, seminari fillimisht u fokusua në një analizë teknike të edicionit të kaluar, si dhe ka vijuar të përqendrohet maksimalisht tek mangësitë që janë vënë re gjatë sezonit të kaluar, duke synuar korrigjimin e tyre në vijim.
“Gjyqtarët do të njihen dhe me ndryshimet e reja në rregullore, të cilat vijnë nga Federata Botërore e Futbollit”, – ka shtuar Kotherja, i cili ka vlerësuar edhe rritjen e nivelit të gjykimit në futbollin shqiptar. “Natyrisht që niveli rritet nga sezoni në sezon, edhe për arsye se tashmë gjyqtarët e futbollit shqiptar kanë në dispozicion të tyre literaturën, por edhe përvojë më të mirë botërore të gjykimit”, – ka përfunduar shefi i sektorit të gjyqtarëve në FSHF, Plarent Kotherja.
Pas testimit teorik, gjyqtarët do t’u nënshtrohen edhe testeve praktike. Testet praktike do t’i zhvillojnë në pistën e Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”. Këto teste për kryesorët do të zhvillohen më 19 gusht, nga ora 17:20, kurse për anësorët, më 21 gusht, nga ora 16:20.