AlbanianSport.com 27/08/2021 17:55
ASNN – Gjyqtarët e Kategorisë Superiore e Kategorisë së Parë zhvillojnë testet dhe seminarin teorik para sezonit të ri. Siç është bërë tashmë traditë, gjyqtarët e dy niveleve të sipërme të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, Kategorisë Superiore dhe Kategorisë së Parë, kanë marrë pjesë në seminarin vjetor të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), që u zhvillua në Korçë e që bëhet çdo vit para nisjes së sezonit futbollistik në vend.
Në këtë testim, të organizuar nga Sektori i Gjyqtarëve në FSHF, në bashkëpunim me Shoqatën “Bashkimi i Gjyqtarëve Shqiptarë të Futbollit” (BASHF) morën pjesë rreth 110 gjyqtarë (kryesorë dhe anësorë), të cilët janë fokusuar gjerësisht në pjesën teorike, duke analizuar aspekte të ndryshme të gjykimit dhe duke u përditësuar me ndryshimet më të fundit në rregulloren e arbitrimit.
Janë zhvilluar seanca me analizë video, ku një vend të veçantë ka zënë risia dhe investimi më i madh i Federatës Shqiptare të Futbollit në edicionin e ri, sistemin VAR (Sistemi i Ndihmësgjyqtarit të Videos). Siç është bërë e ditur, procesi ka mbërritur në fazën finale dhe gjithçka duket gati për nisjen e sezonit të ri, duke parë që po zhvillohen testimet dhe trajnimet e fundit për të filluar zbatimin e tij nga java e parë.
Gjyqtarët u janë nënshtruar gjithashtu edhe provimeve me shkrim, ku janë vënë në provë njohuritë e tyre, teksa më pas kanë zhvilluar edhe testet fizike, të dyja procese që janë të domosdoshme për të qenë pjesë e trupës së gjykimit në sezonin e ri të futbollit shqiptar.