AlbanianSport.com 18.08.2015 09:25
ASNN – Rindërtimi apo rinovimi i stadiumeve pritet të krijojë vështirësi përsa i përket kalendarit të javëve të para, por kjo nuk do të ndikojë në ecurinë e sezonit të ri Kategorisë Superiore. Kjo është garancia që jep shefi i Sektorit të Licencimeve në FSHF, Elton Gjipali, i cili, duke folur për AlbanianSport.com ka sqaruar gjithashtu edhe gjendjen e stadiumeve të klubeve të Kategorisë Superiore.
Teksa na ndajnë vetëm pak ditë nga nisja e sezonit të ri të Kategorisë Superiore, rindërtimi apo rinovimi i stadiumeve duket se do të ndikojë në kalendarin e javëve të para. Duke folur për AlbanianSport.com, shefi i Sektorit të Licencimeve në FSHF, Elton Gjipali, ka pohuar se ky është një problem që u shtrohet për zgjidhje klubeve. “Po, është e vërtetë që kjo përbën një problem për këtë fillimsezon”, – ka thënë ai.
“Por besoj që është një gjendje kalimtare, që në këndvështrimin afatgjatë, synon përmirësimin e infrastrukturës futbollistike në vend dhe, për këtë arsye, ia vlen të sakrifikosh ca, – ka vijuar Gjipali. – Megjithatë, kjo nuk do të ndikojë në nivelin e garës, pasi klubet e prekura nga kjo gjendje e kanë të qartë që stadiumet alternativë që do të përdoren, duhet të përmbushin kriteret e licencimit të Kategorisë Superiore.”
Gjipali ka sqaruar gjithashtu edhe gjendjen e stadiumeve të klubeve të Kategorisë Superiore. “Duke lënë mënjanë “Loro Boriçin” e Shkodrës, i cili, pas rindërtimit do të bëhet një stadium i parametrave më të mira bashkëkohore, edhe Stadiumi “Selman Stërmasi” në kryeqytet, që pritet të jetë gati në gjysmën e parë të shtatorit, apo edhe ai “Flamurtari” i Vlorës, do të ofrojnë të tjera kushte, si për lojë, ashtu edhe për tifozët”, – ka thënë ai.
“Natyrisht, problem mbeten stadiumet e dy skuadrave që janë ngjitur këtë vit në Kategorinë Superiore, – theksoi shefi i Sektorit të Licencimeve në organizmin që qeveris futbollin në Shqipëri. – Klubi i Bylisit ka kërkuar kohë për ta sjellë stadiumin “Adush Muça” në parametrat e kërkuar, ndaj edhe skuadra ballshiote do t’i luajë ndeshjet e saj në një stadium tjetër, mbase në Fier.”
“Kurse stadiumi tjetër, ai i Pukës, i është nënshtruar një rinovimi dhe, të jem i sinqertë, menjëherë pas kësaj interviste me ju, do të nisemi një grup pune nga FSHF-ja për të para nga afër dhe vlerësuar gjendjen e stadiumit dhe nëse ai është gati për të pritur ndeshjet e këtij niveli”, – ka përfunduar Gjipali. Kategoria Superiore ngre siparin me takimin e të premtes në mbrëmje midis Partizanit dhe Laçit.