AlbanianSport.net 12/06/2018 17:05
ASNN – Një tjetër veprimtari midis shkollave të mesme të qarkut të Tiranës ka kurorëzuar fituesit e saj. Bëhet fjalë për Kampionatin e Minifutbollit “Repaly Cup”. Pas dy muajsh ndeshje midis 24 shkollave të mesme të Tiranës, të hënën në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” u luajtën dy ndeshjet e fundit, finalja për vendin e parë e të dytë, e ajo për vendin e tretë e të katërt.
Kjo veprimtari organizohej nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe partnerët e saj. Ndërsa futbollisti i kombëtares shqiptare, Armando Sadiku ishte ambasador I veprimtarisë. Në finale për trofeun u ndeshën nxënësit e Shkollës së Mesme të Përgjithshme “Ismail Qemali” me ata të “Besnik Sykjes”. Ndeshja ishte e fortë, e të dyja skuadrat kishin mbështetësit e tyre të zjarrtë në shkallët e pallatit të sportit.
Pas kohës së rregullt të takimit, gjimnazistët e Shkollës “Besnik Sykja” bëhen fitues të trofeut “Replay Cup”, pasi arrijnë të fitojnë 5-2 ndaj bashkëmoshatarëve të “Ismail Qemalit”. Ndërsa në vendin e tretë u renditën nxënësit e Shkollës së Mesme “Aleks Buda” dhe në të katërtin “Sami Frashëri”. Golashënuesi më i mirë i turneut ishte Jurgen Pjetra, i cili mori edhe trofeun përkatës.
Nxënësit nxitonin të bënin foto me golashënuesin e kombëtares Sadikun, ndërsa ky i fundit nuk ngurroi të jepte autografe për të gjithë. Medaljet dhe trofetë u shpërndanë nga Sadiku dhe Elvira Baze, përfaqësuese e sportit pranë Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë.