AlbanianSport.com 17.10.2016 12:30
ASNN – Hedhja e fishekjzarreve dhe tymueseve në stadiumet shqiptare, gjatë ndeshjeve ndërkombëtare që luan kombëtarja jonë, e kanë dënuar Federatën Shqiptare të Futbollit me gjoba të majme, të dhëna nga UEFA dhe FIFA. Ky fenomen shqetësues ka shqetësuar drejtuesit e FSHF-së, pasi ka arritur limiti i paralajmërimeve, ndaj rrezikojmë që të luhet pa tifozë.
Kështu, Kombëtarja shqiptare e futbollit rrezikon t’i luajë ndeshjet pa tifozë. Hedhja e fishekzjarreve dhe tymueseve në ndeshjet zyrtare që luan skuadra jonë përfaqësuese i ka detyruar komisionet e Disiplinës së FIFA-s dhe UEFA-s që ta dënojnë FSHF-në me gjoba të konsiderueshme. Konkretisht, për ndeshjen me Maqedoninë Federata jonë u dënua ne FIFA me 50 mijë euro për hedhjen e fishekzjarrreve nga ana e tifozëve.
Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të FSHF-së, Ilir Shulku, paralajmërimet dhe masat disiplinore të dhëna nga organizmat ndërkombëtarë të futbollit kanë arritur limitin. Për të mos rrezikuar deri aty sa kombëtarja të luajë në stadiume të boshatisura, Shulku ka sqaruar se do të zhvillojë bisedime me forcat e rendit si dhe me vetë grupimet e tifozerive, që ky fenomen të mos përsëritet.
Për ndeshjen me Spanjën, FIFA ka hapur një çështje tjetër, për të cilën ende nuk është dhënë vendimi. Një ndeshje pa tifozë ndikon shumë edhe në anën ekonomike të FSHF-së, por edhe për imazhin e Shqipërisë.