AlbanianSport.com 18.01.2017 13:40
ASNN – Koret fyese të tifo-grupeve në stadiumet shqiptare kanë bërë që prania e femrave që ndjekin futbollin të jetë më e pakët. Tifozët duhet të sensibilizohen që loja e futbollit, në fund të fundit është një lojë argëtuese dhe si e tillë duhet të jetë për të gjithë. Për këtë është diskutuar në tryezën që u organizua sot nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe pjesëtarëve të shoqërisë civile.
“FSHF dhe emancipimi i stadiumeve” ishte tema e diskutimit, të organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit me pjesëtarëve nga shoqëria civile, politika, media dhe tifo-grupet e futbollit. Prania e femrave në stadium një domosdoshmëri për t’i dhënë më shumë bukuri lojës më të dashur nga të gjithë. Por sa komode e ndjejnë femrat qenësinë e tyre në stadiumet shqiptare, kur dëgjojnë koret fyese të tifozëve.
“Kemi një stadium relativisht të emancipuar me prezencë femërore në ndeshjet ndërkombëtare, por kjo është më e pakët në ndeshjet kombëtare, – ka thënë presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. – Investimet dhe organizimi është diçka shumë e rëndësishme që ndikon, por këtu jemi për të folur për pjesën subjektive, atë që varet nga ne.”
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e pranishme në shumë stadiume të vendit, ka shfaqur shqetësimin e saj për koret e pahijshme që dëgjohen gjatë ndeshjes. Ndërsa psikologu i njohur, Edmond Dragoti, ka thënë se i duhet dhënë rëndësi e madhe emancipimit të futbollit dhe tifozëve. Në fakt, numri i tifozeve femra në stadiumet shqiptare ka ardhur duke u rritur, sepse edhe infrastruktura është bërë më cilësore.
FSHF ka rritur investimet në infrastrukturë duke bërë që të rritet jo vetëm cilësia e kësaj loje por edhe komoditeti i qëndrimit të tifozëve në shkallët e stadiumeve.