AlbanianSport.com 10.07.2015 15:35
ASNN – Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, në një konferencë për shtyp pas vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS) që i dha 3 pikët Shqipërisë për ndeshjen ndaj Serbisë, tha se është i emocionuar për shkak se fitoi drejtësia dhe futbolli. “Jam shumë i emocionuar, edhe pse e prisja këtë vendim”, – ka deklaruar ai.
Pas 9 muajsh pritje, drejtësia është vënë në vend. Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, vendosi që Shqipëria të marrë 3 pikët për ndeshjen e ndërprerë në Beograd në tetorin e shkuar. “Fitoi e drejta dhe futbolli, – vijoi kreu i organizmit që qeveris futbollin shqiptar. – Nuk dua të gjykoj për klasifikimin dhe nuk dua të diskutoj nëse do të shkojë apo jo Shqipëria në Evropian.”
“Rëndësi ka që drejtësia u vu në vend, – ka shtuar Duka. – Rëndësi ka që nuk bëhet fajtore Shqipëria për atë ndeshje.” Në lidhje me renditjen e Shqipërisë pas këtij vendimi, që e sheh veten në kuotën e 10 pikëve (aq sa Danimarka), Duka tha se duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë: “Duhet të bëjmë maksimumin në 4 ndeshje, pasi janë ndeshje që mund t’i fitojmë të gjitha ose mund t’i humbim të gjitha”.
Kur u pyet në lidhje me rinovimin e kontratës së trajnerit Xhovani De Biazi, Duka u përgjigj: “Ka një kontratë deri në qershor, kemi kohë për të folur. Kemi shumë kohë pasi ne do të shkojmë në Francë dhe De Biazi do të jetë me ne atje.” Ndërkohë, akovati përfaqësues i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe anëtari i komitetit të FSHF-së, Artan Hajdari, ka shpjeguar shkurtimisht këtë vendim të zbardhur prej 74 faqesh.
“Nuk u gjetëm në faj, – tha ai. – Është gjetur përgjegjës gjyqtari për mënyrën e administrimit të lojës. Përsa i përket banderolës së objektit fluturues, ne jemi gjetur fajtorë. Falenderoj studion ligjore zvicerane që udhëhoqi mbrojtjen e palës sonë.” Në të dyja shkallët e drejtësisë sportive, UEFA e bëri “nul” ndeshjen sa i përket shifrave me një lojë fjalësh, ndërkohë që gjobiti të dyja federata me nga 100 mijë euro.
Por Gjykata e Arbitrazhit të Lozanës, shkalla më e lartë dhe e fundit e drejtësisë sportive, ka rrëzuar këto dy vendime të mëparshme. Ajo i ka dhënë 3 pikët Shqipërisë, për ndeshjen ndaj Serbisë, të ndërpresë në tetor 2014, në stadiumin e Beogradit. Rreth 74 faqe të detajuara, kanë mbërritur mëngjesin e së premtes në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit, të cilat kanë sqaruar se përse Shqipërisë i takonin tri pikët.