AlbanianSport.com 02.05.2016 18:00
ASNN – Mediat italiane e kanë përmendur në mënyrë të vazhdueshme emrin e Xhovani De Biazit si një kandidat për stolin e përfaqësueses italiane të futbollit. Trajneri aktual i Shqipërisë gjithmonë ka pranuar se vëmendja e tij është te Evropiani, që do të nisë më 10 qershor.
Në të njëjtën linjë është edhe kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili ishte i ftuar në emisionin “Domenica Sportiva” në “Rai Due”. “De Biazi ka bërë një punë të mirë dhe po ashtu i gjithë stafi, – tha ai. – Fjalët për interesimin e Italisë janë në media, pasi De Biazi po mendon për Evropianin e më pas gjërat mund të diskutohen.”
“Unë kam miqësi me Tavekion dhe mendoj se, si profesionist, ai nuk mund të shqetësojë një trajner, i cili po punon për Evropianin”, – ka thënë presidenti i FSHF-së, duke iu referuar homologut të tij italian.Kualifikimi i Shqipërisë në finalet e Evropianit është një debutim absolut në arenën ndërkombëtare.
Kjo arritje erdhi si rrjedhojë e një pune të nisur 4 vite më parë nga Xhovani De Biazi. Italiani që zotëron edhe shtetësinë shqiptare është nën kontratë edhe për Eliminatoret e Botërorit 2018. Kështu, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka qenë mbrëmë i ftuar në studion e televizionit italian “Rai Due”, në emisionin “E diela Sportive”.
I pyetur për të ardhmen e trajnerit të kombëtares, De Biazi, Duka përsëriti se italiani me pasaportë shqiptare është i përqendruar krejtësisht për të dalë me sukses në Euro 2016, ndërsa vetëm pas Evropianit do të diskutohet nëse do të vazhdojë me Shqipërinë, apo do të shkojë tek Italia.
Duka pohoi se shqiptarët kanë qenë më së shumti tifozë me Milanin apo Juventusin, por kohët e fundit përkrahin skuadrat e Serisë A ku luajnë lojtarët e kombëtares, siç është rasti i Hysajt tek Napoli. I ngacmuar për faktin se është tifoz i Milanit, Duka nuk ka dashur të komentojë se çfarë duhet të bëjë presidenti Berluskoni me klubin kuqezi, por thjesht deklaroi se dëshiron ta falenderojë për sukseset e mëdha që ka arritur.
Ftesa në RAI për Dukën erdhi ndërsa Shqipëria u kualifikua për herë të parë në finalet e një Evropiani.