AlbanianSport.com 14/09/2021 20:10
ASNN – Presidenti Duka dhe Sekretari i Përgjithshëm Shulku marrin pjesë në mbledhjen e TEP-së. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, njëherazi anëtar i Komitetit Ekzekutiv i UEFA-s, Armand Duka dhe Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku morën pjesë ditën e sotme në mbledhjen e TEP (Top Executive Programme), që u zhvillua “online”, për shkak të kushteve të krijuara nga epidemia e “Covid-19”.
Në këtë mbledhje u diskutuan disa çështje të rëndësishme në lidhje me futbollin evropian, ku më kryesor ishte diskutimi lidhur me propozimin e organizmit që qeveris futbollin botëror, FIFA-s për të organizuar Kampionatin Botërorin për meshkuj dhe femra çdo dy vite. Ky propozim u diskutua gjatë nga të gjithë përfaqësuesit e Federatave, të cilët paraqitën qëndrimet e tyre lidhur me këtë çështje.
Në këto diskutime u shpreh uniteti në qëndrimin për të evituar tentativat e jetësimit të këtij propozimi që dëmton futbollin dhe elementin financiar e social të tij. Një tjetër pikë e rendit të ditës në këtë mbledhje ishte rreth krijimit të Konventës së re të UEFA-s, që lindi nga nevoja për të bashkuar aktorët evropianë të futbollit dhe për të forcuar të ardhmen e lojës më popullore në botë.
Dhe diskutimi u përqendrua në disa çështje themelore të Konventës së re. Gjithashtu, u diskutua edhe lidhur me pozicionin e UEFA-s dhe Federatave anëtare në raport me procesin e të ashtuquajturës “Superligë Evropiane”, që do të shqyrtohet në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë.