AlbanianSport.com 04/05/2020 23:10
ASNN – Tanimë është një betejë që po zhvillohet në distancë, larg fushave të blerta dhe nëpër studiot televizive. Ndërkohë që një ditë më parë, në një ekran televiziv, Ministrja e Shëndetsisë dhe Mbrojtjes Sociale, Olgerta Manastirliu, u ka hedhur ujë të ftohtë shpresave për një rikthim të shpejtë të futbollit, një ditë më pas, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka qenë i ftuar në një emision në “Syri TV”, për të diskutuar për çështjen e rifillimit të kampionatit në vend.
Pyetjes se a ka marrë përgjigje FSHF-ja nga Ministria e Shëndetësisë për kërkesën që ka bërë për të lejuar stërvitjet dhe më pas zyrtarisht ndeshjet, Duka iu përgjigj: “Futbolli është loja më e bukur në botë dhe në këtë kohë të vështirë mund t’i ndihmonte njerëzit akoma më shumë. Nuk është futbolli sektor me risk. Nuk e mendojnë që sporti nuk është thjesht për garë, por i bën mirë shëndetit. Duke mos marrë përgjigje zyrtare nga qeveria nëpërmjet Ministrisë së linjës, i jemi drejtuar edhe Ministrisë së Shëndetësisë.”
“Por sërish nuk kemi përgjigje zyrtare, por vetëm mediatike, – ka vijuar ai. – Them që është koha që duhet të ishim rikthyer të luajmë.” Kreu i organizmit që qeveris futbollin në vend u pyet gjithashtu edhe për fatin e këtij sezoni. Pra, në qoftë se nuk rifillon kampionati, ishte pyetja konkrete, a do të shpallej Tirana “kampione”. Duka u shpreh se nëse kampionati nuk rifillon, renditja do të jetë ajo në ditën kur ai u ndërpre dhe kjo vlen edhe për nivelet e ulëta të tij.
“Në qoftë se kampionati nuk rifillon, renditja është “e fotografuar” në ditën në të cilën është ndërprerë, ajo që kemi parë atë ditë në renditje, do të jetë edhe vetë rendit renditja përfundimtare. Katër klube do të luajnë në Kupat e Evropës, 2 të fundit do të bien nga kategoria dhe ajo që është në “play-off” do të luajë kur gjendja të jetë më normale”, – tha presidenti Duka, por ai nuk e pohoi kështu shprehimisht se Tirana do të shpallet fituese e kampionatit në qoftë se nuk rifillon.