AlbanianSport.com 11/03/2021 22:25
ASNN – Në fund të prononcimit të tij për mediat pas vizitës zyrtare të 3 homologëve fqinjë, presidenti Duka u shpreh se ende nuk ka marrë mbështetje nga qeveria për projektin “100 fushat” dhe se do të vijojë ta kërkojë, në të mirë të futbollit shqiptar. “Akoma asgjë nga 100 fushat me qeverinë, por tani jemi përpara një fushate elektorale, nuk kemi pse ta ngacmojmë qeverinë”, – deklaroi ai.
“Pas fushate, me ata që do të jenë në pushtet, patjetër që do t’i rikthehemi dhe do të kërkojmë sa më shumë fusha. Çdo gjë që ne kemi kërkuar, nuk do pushojmë së kërkuari për të mirën e futbollit, pavarësisht nga ngjyrat apo simbolet politike”- përfundoi Duka.
Komentet e kreut të qeverisë së futbollit shqiptar u bënë gjatë vizitës zyrtare që Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina, Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi dhe Presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muamed Sejdini bënë në “Shtëpinë e Futbollit”.
Por edhe më pas në Bubq, teksa vizituan dhe përuruan shtëpitë e rindërtuara nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019 në Shqipëri, rindërtim nga themelet me fondet e federatave dhe të dashamirësve të futbollit.