AlbanianSport.com 09.09.2015 13:05
ASNN – “Një takim ku duhet të mbizotërojë sporti”. Kështu e kanë cilësuar ndeshjen e 8 tetorit midis Shqipërisë dhe Serbisë Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Duka, dhe Ambasadori i Serbisë në Tiranë, Zariç. Pas takimit midis tyre në mjediset e FSHF-së, Duka ka theksuar se çdo problem në takimin e 8 tetorit penalizon Shqipërinë. Ai shprehu besimin se asnjë incident nuk do të ndodhë, ndërsa pohoi se kualifikimi për në Evropian është vështirësuar pas humbjes me Portugalinë. Ndërsa Ambasadori shfaqi besim të plotë tek pala shqiptare.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, ka pritur të mërkurën në një takim Ambasadorin e Serbisë në Tiranë, Miroljub Zariç, lidhur me ndeshjen e 8 tetorit midis dy skuadrave përfaqësuese. Lidhur me këtë ndeshje, dy zyrtarët kanë theksuar nevojën e trajtimit të saj vetëm si një ngjarje sportive. Me një shqipe relativisht mirë, ambasadori serb ka theksuar se ka besim të madh në mirëorganizimin, që do t’i bëjë Federata dhe Qeveria shqiptare kësaj sfide të rëndësishme, në mënyrë që të evitojë çdo lloj incidenti të mundshëm.
“Ishte kënaqësi, që u pritëm në këtë takim në Federatën Shqiptare të Futbollit, – u shpreh Miroljub Zariç, ambasadori i Serbisë në Tiranë. – Sigurisht, biseduam për ndeshjen e ardhshme mes dy kombëtareve tona. Kemi besim tek institucioni i futbolllit shqiptar dhe shpresoj se, gjithçka do të shkojë mjaft mirë në këtë ndeshje. Falënderoj presidentin Duka për pritjen dhe angazhimin e tij.” Presidenti Duka ka theksuar se çdo problem në takimin e 8 tetorit penalizon Shqipërinë.
“Ky ishte një takim me karakter informues, në lidhje me ndeshjen e ardhshme Shqipëri- Serbi, – tha kreu i FSHF-së. – Shkëmbyem informacione të nevojshme dhe biseduam në frymën e bashkëpunimit, në mënyrë që të kalojë sa më mirë zhvillimi i saj.” Nga ana tjetër, presidenti Duka theksoi se shqiptarët duhet të bëhen bashkë, në mënyrë që t’i shërbejnë kombëtares, në sfidën që mund të na japë edhe kualifikimin, dhe jo ta dëmtojnë atë.
“Kemi një muaj që kemi nisur punën, në lidhje me organizmin e kësaj ndeshjeje, – tha ai. – Unë kam bindjen se, gjithçka do të shkojë mirë dhe u bëj thirrje të gjithëve, që të na mbështesin për këtë. Tifozët shqiptarë nuk kanë qenë asnjëherë problematikë, si brenda, edhe jashtë Shqipërisë. Duke bashkëpunuar do të arrijmë që gjithçka të kalojë pa problem”, tha Duka. Ndeshja e parë dy përfaqësueseve u ndërpre, pasi tifozët serbë pushtuan fushën dhe goditën disa prej lojtarëve kuqezinj.
Ndërkohë, sfida e kthimit, e cila do të luhet më 8 tetor në “Elbasan Arena”, ka një rëndësi të madhe për Kombëtaren kuqezi, pasi një fitore ndaj tyre dhe një humbje e Danimarkës në Portugali do të mund ta kualifikojë drejtpërdrejtë për në “Francë 2016”.