AlbanianSport.com 13.10.2015 09:45
ASNN – Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armando Duka, nuk e përjashtoi mundësinë që shifrat të prishin marrëdhëniet me Xhovani De Biazin. Gjatë një intervistë dje për “Report TV”, duke folur për rinovimin e kontratës me trajnerin italian të Kombëtares kuqezi, Duka nuk e përjashtoi mundësinë që shifrat të prishin marrëdhëniet mes palëve.
Gjatë festës së organizuar në mbrëmjen e djeshme për Kombëtaren në hotel “Tirana International”, i pyetur për rinovimin e marrëveshjes, kreu i FSHF-së sqaroi: “Nga ana jonë ekziston vullneti për rinovimin e kontratës aktuale. De Biazi kuptohet se, jo vetëm pas suksesit, por ai do të vazhdojë të jetë trajner. Është me kontratë deri në qershor të vitit tjetër dhe më tej është vullneti dhe dëshira jonë që të vazhdojë.”
“Mbetet për t’u përcaktuar vetëm numri që do të vendoset mbi letër, që nuk është një faktor i vogël. Pra, mund të na cenojë ndoshta edhe marrëdhënien tonë”, – deklaroi Duka, ndërsa përtej festës, kanë nisur të ngrihen dyshime serioze nëse FSHF do të jetë e gatshme “ta zgjidhë qesenë” për të mbajtur njeriun që e udhëhoqi drejt pjesëmarrjes për të parën herë në një veprimtari madhore futbollistike.