AlbanianSport.com 21.01.2015 07:50
ASNN – Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka, i njoftuar për humbjen e Prof. Doc. Zyber Konçit, i ka shprehur familjes dhe të gjithë komunitetit të futbollit ngushëllimet e tij. I pamundur për të qenë i pranishëm në homazhet dhe ceremoninë e organizuara nga Federata, kreu i organizmit që qeveris futbollin shqiptar, i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes së të ndjerit:
“Thellësisht i prekur nga lajmi i largimit nga jeta të Prof. Doc. Zyber Konçi, më lejoni t’ju shpreh juve familjarë dhe të afërm të tij, ngushëllimet më të sinqerta, në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit, komunitetit të këtij sporti dhe në emrin tim personal”, – shkruan Duka në mesazhin për familjen Konçi, të botuar edhe në faqen zyrtare të FSHF-së në Internet.
“Jeta e z. Konçi ka qenë thellësisht e lidhur me futbollin dhe trajningun në Shqipëri, – ka vijuar ai. – Që kur ishte student dhe deri në fund të jetës së tij ai, nuk u nda asnjëherë nga sporti I tij i dashur. Kontributi i tij, sa praktik aq edhe shkencor, është një ndër pasuritë e vyera, që ai i dha futbollit. Si trajner i ekipit kombëtar dhe i disa klubeve në Shqipëri, ai tashmë ka hyrë në hollin e famës, së futbollit shqiptar.”
Më lejoni edhe njëherë të nderuar miq, të shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e njeriut tuaj të dashur dhe mikut të të gjithë komunitetit tonë, Profesorit të futbollit, Zyber Konçi”, – përfundon telegrami i ngushëllimit të Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka, drejtuar familjes së Prof. Doc. Zyber Konçit, i cili ndërroi jetë para dy ditësh, në moshën 88-vjeçare.