AlbanianSport.com 07/07/2020 23:55
ASNN – Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, ka deklaruar se ndeshjet e mbetura të kthimit të turit të 16-shes së Ligës së Kampioneve nuk do të luhen në fushën asnjëanëse . Në një prononcim për Radio “Kiss Kiss Napoli”, kreu i qeverisë së futbollit shqiptar dhe njëkohësisht anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, tha se Barcelona kërkon të luajë në fushën e vet, ndërsa konfirmon se nuk ka ndryshime sa i përket kalendarit për fazën finale të kësaj veprimtarie.
“Mund t’ju konfirmoj, se për momentin, ndeshjet e mbetura të kthimit të turit të 16-shes së Ligës së Kampioneve nuk do të luhen në fushën asnjëanëse, – ka deklaruar kreu i organizmit që qeveris futbollin shqiptar, duke folur për radion italiane në fjalë. – Barcelona kërkon të luajë në fushën e saj dhe me aq informacion sa kam po bën përpjekje për të pasur tifozë të pranishëm në stadium. Por gjithçka do të varet nga ecuria e kurbës epidemiologjike”.
Lidhur me fazën e “8-shes Finale” të Ligës së Kampioneve, Duka ka konfirmuar: “Ndeshjet e fazës finale do të luhen në Lisbonë, gjithmonë nëse nuk do të ketë ndonjë ndryshim të imponuar nga epidemia e shkaktuar nga virusi “Covid-19””. Në fund, edhe një koment për të ardhmen e futbollistit të Kombëtares shqiptare dhe Napolit, Elseid Hysaj. “Nëse do të qëndrojë te Napoli do të isha shumë i lumtur”, – ka deklaruar 57-vjeçari.
“Do të isha i lumtur edhe për Kombëtaren tonë, sepse vazhdimi i karrierës te Napoli do të kishte vetëm anë pozitive për Hysajn”, – ka përfunduar Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka.