AlbanianSport.com 18/06/2020 19:25
ASNNN – Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, mori pjesë në mbledhjen e radhës së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, që u zhvillua përmes video-konferencës, ku u diskutua në lidhje me shumë çështje që kanë të bëjnë me situatën aktuale të futbollit evropian për shkak të epidemisë së “Covid-19”.
Pasi miratoi një sërë vendimesh të rëndësishme një ditë më parë lidhur me rifillimin e veprimtarive ndërkombëtare, kalendarët dhe datat e garave, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s në pjesën e dytë të mbledhjes aprovoi një sërë masash të përkohshme urgjente si një shtesë në rregulloret e licencimit të klubit dhe rregullave të “Fair Play”-t financiar për të marrë parasysh efektin e pandemisë COVID-19 në financat e klubeve.
Masat e tilla u zhvilluan dhe u mbështetën unanimisht nga të gjithë palët në kuadër të Grupit të Punës së Emergjencës në UEFA për çështje juridike, rregullatore dhe financiare. Afati i fundit për regjistrimin e lojtarëve për fazën e grupeve të veprimtarive të UEFA-s për klubet për sezonin 2020-2021, u caktua data 6 tetor 2020.
Gjithashtu, u përzgjodhën anëtarët e rinj në organet disiplinore të UEFA-s. U miratuan procedurat e shortit për Eliminatoret Evropiane 2021-2022 për Botërorin 2022, në pritje të konfirmimit përfundimtar nga FIFA. Po ashtu, u miratuan edhe rregulloret e mëposhtme të veprimtarive të UEFA-s:
Rregullorja e Evropianit të Nën-19-vjeçarëve në futbollin e sallës 2020-2021
Rregullorja e Evropianit të Nën-17-vjeçarëve në futbollin e sallës 2020-2021
Rregullorja e Evropianit të Nën-17 e Nën-19-vjeçareve në futbollin e femrave 2020-2021
Formati i ri për Evropianin e Nën-17 e Nën-19-vjeçareve në futbollin e femrave 2021-2022
Mbledhja e ardhshme e Komitetit Ekzekutiv u vendos që të zhvillohet më datën 24 shtator në Budapest, Hungari.