AlbanianSport.com 12/02/2019 17:05
ASNN – Në një prononcim për “ABC News”, kreu i futbollit në vend Armand Duka, ka “thumbuar” qeverinë e Shqipërisë për investimin e paktë në sport, madje duke marrë si shembull Kosovën, e cila, sipas tij, investon 20 apo 30 herë më shumë. “Politika kosovare e mbështet sportin më shumë se politika shqiptare, – u shpreh për “ABC News” kreu i organizmit që qeveris futbollin në vend, – madje në mënyrë strategjike dhe jo në mënyrë spontane.”
“Buxhetet që ka Kosova, qoftë dhe buxhetet për financimin e sporteve, janë 10 ose 20 herë më të mëdha se Shqipëria, – ka vijuar ai. – Ajo paketë fiskale, që për mua nuk është e plotë, që ka, duhet të jetë dhe më e mirë e Kosovës.” Më tej, Duka ka kujtuar domosdoshmërinë e investimit në sport nga qeveria, duke marrë si shembull modelin e Hungarisë, si një model sipas tij me zhvillim afatgjatë.
“Hungaria i detyron kompanitë, shoqëritë e biznesit, të shkojnë të bien dakord me një nga federatat e 4 sporteve prioritare dhe të investojnë nga fitimet e tyre, – ka vijuar presidenti i FSHF-së, Armand Duka. – Kjo pjesë zbritet nga Tatimet. Në 3-4 vitet e fundit janë shifra marramendëse të investuara. Janë ndërtuar fusha futbolli pa fund dhe do ketë ndryshime.”