AlbanianSport.com 13.04.2015 16:50
ASNN – Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë (KAS), do të dëgjojë të enjten e të premten pretendimet e Serbisë dhe Shqipërisë për vendimet e Komisioneve të UEFA-s, atij të Disiplinës dhe atij të Apelit, për ndeshjen e ndërprerë të 14 tetorit 2014 në Beograd. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka folur sot përpara mediave për KAS-in, Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, e cila do të japë vendimin përfundimtar për ndeshjen Serbi-Shqipëri, pas mbylljes së dy seancave dëgjimore me palët në datat 16 dhe 17 prill 2015.
Ai mendon se vendimi i Komisionit të Disiplinës së UEFA-s, në favor të Rusisë do të ndikojë pozitivisht tek KAS-i edhe për Shqipërinë, për më tepër ngjarjet që ndodhën në Malin e Zi ishin shumë më pak të rënda se ato të Beogradit. Përpara nisjes për në Lozanë, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka treguar se përveç avokatit që do të mbrojë Shqipërinë, në gjykatë do të flasin edhe ai vetë, trajneri Xhovani De Biazi dhe kapiteni Lorik Cana. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armando Duka, shpreson kështu në një vendim të drejtë.
Ai thekson se në dosjen e Shqipërisë do të bëjë pjesë edhe rasti i dhënies 3 pikëve të Rusisë si argument që Shqipëria nuk ka marrë atë që meritonte nga dy instancat e drejtësisë së organizmit që qeveris futbollin kontinental. “Unë besoj se është një argument dhe avokati jonë e ka përfshirë në dosje për t’ia paraqitur KAS-it që tregon një qëndrim me dy standarde të komisioneve të UEFA-s, sepse ngjarjet e Malit të Zi kanë qenë shumë më pak të rënda se në Serbi”, – ka deklaruar kreu i FSHF-së. Në seancën e Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv do të dëshmojnë lojtarë dhe zyrtarë të Federatës Shqiptare të Futbollit.
Pas trazirave të 14 tetorit 2014 në stadiumin e Beogradit, Shqipëria u ndëshkua me humbje në tavolinë edhe pse ishte pala e dhunuar. Kreu i FSHF -së i dha këto deklarata pas takimit që pati me Presidentin e skuadrës së Veronës që nuk përjashtoi mundësinë e bashkëpunimit të klubit italian me futbollin shqiptar. Presidenti i FSHF-së, Duka, dhe presidenti i Veronës, Seti kanë folur më pas për projekte të ndryshme që mund të realizohen në të ardhmen.