AlbanianSport.com 10/09/2021 19:40
ASNN – I pranishëm të premten pasdreke në prezantim për përfaqësuesit e mediave dhe opinionin publik të Sistemit të Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR) ishte edhe Presidenti i Federatës së Futbollit (FSHF), Armand Duka, i cili përshëndeti këtë projekt dhe u ndal te risitë e këtij sezoni. “Edicioni i ri ka risi krahasuar me edicionin e kaluar apo qoftë edhe me të mëparshmit, – ka thënë ai. – Risia kryesore është që do të kemi 30% të spektatorëve në stadium, që do ta ndihmojë akoma më shumë garën dhe në një lloj mënyre do të shërbejë dhe në jetën sociale të njerëzve.”
“Risia tjetër është përdorimi i teknologjisë në fushë, pra sistemi “VAR”, – ka vijuar kreu i organizmit që qeveris futbollin në vend. – Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur që këtë vit të fillojë “Abissnet Superiore” me sistemin VAR në të gjitha ndeshjet. Do të doja të falënderoja të gjithë Drejtorinë e Gjykimit në FSHF, Sektorin e IT-së, të cilët në një kohë rekord kanë bërë të mundur realizimin e projektit dhe jam i bindur që do të funksionojë normalisht. Duke qenë një gjë e re, do kërkojë përgatitje akoma më të mirë të gjyqtarëve,”
“Që ata të mësohen sepse tashmë duhet të mësohen më një vendimmarrje ndryshe, me ndihmën e teknologjisë. Në njëlloj mënyre duhet të kërkojmë mirëkuptimin e opinionit dhe të mediave për t’i ndihmuar për të qenë sa më profesionalë dhe të marrin vendime të drejta dhe objektive. Kampionati nis sot dhe unë uroj që të kemi një edicion futbollistik sa më të mbarë dhe sa më të suksesshëm, garë sa më të fortë dhe sa më shumë spektatorë në shkallët e stadiumit e sa më pak “Covid-19””, – ka përfunduar Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka.